Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, bashkë me drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramadani, vizituan sot Spitalin e Përgjithshëm “Isa Grezda” të Gjakovës.
Aty i pari i shëndetësisë ka kërkuar zbatim të Manualit për mbrojtje nga përhapja e Covid 19, derisa ka thënë se do të angazhohen të mos rikthejnë masat e izolimit.
“Qëllimi i kësaj vizite është që mobilizimi të jetë në nivelin më të lartë që ne të ofrojmë kujdes të shtuar qytetarëve të Kosovës, në luftimin me betejën Covid 19. Unë motivova dhe iu dhashë përkrahje të plotë gjithë stafit të kësaj qendre. Kështu do të vazhdojmë edhe në qendrat tjera që Kosova të mos rikthehet në masën e izolimit. Por të ecim përpara dhe të shohim mundësi tjera të rikthimit të jetës në normalitet”, tha ai.
Krahas kësaj, ministri Zemaj tha se të gjitha rastet e dyshimta me Covid 19 trajtohen njësojë dhe se nuk ka asnjë rast të vonuar me testim.
“Nuk ka raste të vonuara, raportimet të cilat kanë ndodhur janë duke u përcjellë nga IKShP-ja. Asnjë rast, sidomos ato që prekin profesionistët shëndetësor nuk do të ketë vonime”, tha ai.
Ndërkaq, drejtori i IKShP-së, Naser Ramadni tha se rritja e rasteve me Covid është si pasojë e lehtësimit të masave restriktive. I njëjti theksoi se testimet e personave të dyshuar me koronaviurs nuk vonohen më shumë se dy ditë.
“Të gjitha masat janë për lakmi dhe për atë arsye Gjakova ka pasur mbikëqyrje të plotë. Rastet e mbrëmshme paraqesin reflektimin e masave lehtësues dhe disa pjesëve të qytetarëve ose institucioneve që nuk i kanë përputhur rekomandimet e Institutit. Çështjen e testimeve që e përmendi ju nuk ka raste që janë vonuar më shumë se dy ditë. Edhe Gjakova që e përmendët ju, kjo është shumë normale që prej një deri në dy ditë. Pritshmëria e diagnozës mund të shkojnë deri 14 ditë”, tha ai, raporton kosovapress.
E nikoqiri i këtij takimi, drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Gjakovë, Hilmi Shala tha se kanë marrë zotimin e ministrit Zemaj se do t’i përkrahë kërkesat e tyre.
“Ne ministrit ia shpalosëm nevojat dhe kërkesat tona që i kemi, ai u zotua se do të nda del përkrahje dhe të jetë vazhdimisht me ne”, tha ai.