Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Pas këtij takimi, Zemaj tha se kanë bashkëbiseduar dhe kanë shkëmbyer informacione lidhur me situatën e krijuar së fundi nga pandemia COVID-19.
Ministri Zemaj tha se akoma jemi në zonën e gjelbër dhe se nuk dëshirojmë të kthehemi as në zonën e portokall e mos dhashtë Zoti as në të kuqen, sa i përket rrezikut nga koronavirusi.
“Kërkohet nga të gjithë ne, përkushtim që të mbajmë jetën ekonomike gjallë, jetën organizative e gjithçka tjetër që e kemi të nevojshme, por të intervenojmë aty ku është nevoja. Kërkojmë mbikëqyrje e përgjegjësi nga të gjithë dhe do të ketë sanksione për ata që s’i respektojnë masat. Do të vazhdojmë mënyrën e bashkëpunimit, në ditët në vijim do të kemi bashkëbisedime edhe me të gjithë kryetarët e tjerë të komunave”, tha Zemaj, transmeton lajmi.net.
Ai shtoi se viti i ri shkollor po zhvillohet dhe se viti i ri akademik pritet që shpejt të nis, e se e gjitha çfarë po kërkohet është respektimi i masave.
Sipas Zemajt, rritja e numrit të rasteve me COVID-19 gjatë këtyre ditëve është nga mos-disiplina e individëve.
“Grumbullimi i panevojshëm nuk i konvenon askujt, pavarësisht se çfarë pozite ka ai. Mos i vrisni gjyshërit e familjarët e juaj. Besoni se duhet ta keni parasysh, se duhet të jemi të kujdesshëm e të vëmendshëm dhe të ecim në këtë dinamikë. Duhet të ketë disilpinë, nëse nuk ka atëherë do të ketë edhe kufizime, nëse është e nevojshme”, tha Zemaj.