Fjalë Kyçe

Zeneli debuton për klubin e tij të ri, ja nota me të cilën u vlerësua paraqitja e tij

Zeneli debuton për klubin e tij të ri, ja nota me të cilën u vlerësua paraqitja e tij

Ylli i Kosovës, Arbër Zeneli, debutoi sonte për klubin e tij të ri, Stade de Reims, ku për 17 minutat që i luajti, u vlerësua me notë 5.9.
Zeneli e filloi ndeshjen në stol, mirëpo në minutën e 73-të, trajneri David Guion vendosi ta inkuadrojë kosovarin në ndeshje, shkruan Gazeta Express.

Stade de Reims e fitoi këtë përballje me Marseille, me rezultat 2:1, falë golave të shënuar nga Dingome dhe Suk Hyun Jun. Kjo fitore bën që Reims ta ketë pozitën e shtatë në tabelën e Ligue 1, 22 pikë larg lider, PSG-së.

Zeneli u transferua nga klubi holandez, Heerenveen, në Reims gjatë këtij afati kalimtar të janarit. Marrëveshja për transferimin e 23-vjeçarit u kompletua më 26 janar për katër milionë euro.

Kosovari e siguroi këtë transferim pas paraqitjeve të tij mbresëlënëse për Heerenveenin dhe Kosovën. Për klubin holandez, Zeneli i kishte shënuar katër gola dhe i kishte asistuar 11 të tjera në vetëm pjesën e parë të këtij sezoni.

Për transferimin e tij kishin qenë të interesuar edhe disa klube të tjera evropiane, si Fenerbahce, mirëpo Zeneli kishte bërë të ditur për Gazetën Express se ai synon të luajë në një ligë më të fortë, ashtu siç është Ligue 1 në Francë.

Zeneli do ta ketë mundësinë ta dëshmojë veten në ndeshjen e ardhshme në Stade de Reims, më 10 shkurt, të dielën, kur klubi i tij i shkon mysafir Toulouset, që radhitet në pozitën e 14-të në Ligue 1.