Fjalë Kyçe

Zenka: Qeveria e Malit të Zi po e realizon atë që thotë Vuçiqi

Zenka: Qeveria e Malit të Zi po e realizon atë që thotë Vuçiqi

Deputeti shqiptar i Malit të Zi, Mehmet Zenka, ka thënë se pritej që nga Mali i Zi të vinte vota kundër Kosovës në Komitetin për Politikë të Jashtme të Këshillit të Evropës. Por, sipas tij, kjo ka qenë votë kundër e vetëm përfaqësueses së vendit të tij dhe jo e shtetit të Malit të Zi.

Zenka, i cili është kryetar i partisë Unioni Demokratik i Shqiptarëve, ka thënë se qëndrimi i Maja Vukiçeviqit ishte qëndrim i partisë së saj pro-serbe. Më 27 mars, Komiteti i KiE-së miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e KiE-së. Mali i Zi votoi kundër.

“Ishte e pritshme sepse është opinioni i saj dhe partisë që përfaqëson ajo, sepse nuk mund të themi se përfaqëson Malin e Zi. Ajo thjesht ka përfaqësuar opinionet e veta dhe të partisë. E dija, sepse para një muaji kryetari i partisë që përfaqëson ajo deklaroi në parlament se unë më parë do shkoj në fshat që të mbjell domate se ta pranoj shtetin e Kosovës”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta” në KTV.

Zenka ka shtuar se gjysma e Qeverisë malaziase pretendon në realizim të botës serbe dhe se është e pamundur që ta ndryshojë këtë qasje.

“Dihet se gjysma e qeverisë janë me qëndrime pro-evropiane, por gjysma tjetër janë ithtarë të realizimit të botës serbe. Për momentin ujku ka veshur lëkurën e qengjit dhe dëshiron të bëjë politikë gjoja evropiane, por vërtetë një politikë të botës serbe”, ka potencuar ai.

Zenka ka theksuar se politika e Qeverisë së Malit të Zi gjithnjë e më shumë po orientohet nga presidentit serb.

“Politika e Qeverisë së Malit të Zi është duke shkuar dita ditës më shumë ka orientimet politike të Vuçiqit. Dy ditë më herët po të dëgjojmë Vuçiqin çka deklaron lidhur me Malin e Zi, pas dy ditësh piunët e tij e realizojnë atë që paralajmëron Vuçiqi. Mali i Zi është në rrugë shumë të vështirë. Nuk shoh se Mali i Zi ka perspektivë të qartë drejt BE-së derisa janë në koalicion parti të orientuar anti-shtetformimit”, është shprehur ai.

Sipas Zenkës, politikanë që janë pjesë e koalicionit qeverisës janë njerëz që kanë marrë pjesë në luftërat në Ballkan e se e kanë pritur momentin që tash të hakmerren kundër pakicave në Mal të Zi.

“Qëllimi i tyre ka qenë që të formohet kjo qeveri. Duke e ditur eksperiencës prej 30 vjeçare në politikë dhe duke i njohur këta njerëz personalisht e politikat si i kanë udhëhequr, nuk janë dje në politikën e Malit të Zi. Janë njerëz që janë 30 vjet në politikë, që i kanë pasur uniformat në Kroaci, kanë bë luftë në Bosnje, në Kosovë, janë ithtarë të atyre politikave. Këta njerëz kanë pritur momentin që të hakmerren kundër pakicave në këtë vend”, ka përfunduar Zenka.