Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala ka mbledhur Grupin Koordinues ndër-ministror kundër dhunës në familje për të diskutuar mbi Strategjinë Kombëtare kundër dhunës në familje.
Njoftimin mbi këtë takim e bëri faqja zyrtare e Ministrisë së Drejtësisë në rrjetin social Facebook.
Përveç zëvendësministres Shala, në takim ishin përfaqësues të institucioneve vendore dhe përfaqësues nga organizata partnere që ndihmojnë në adresimin e këtij fenomeni.
“Me hyrjen në fuqi të Strategjisë Kombëtare kundër dhunës në familje, mbetet obligim i institucioneve vendore ndërmarrja e hapave drejt zbatimit të aktiviteteve të planifikuara. Përfaqësues të institucioneve përgjegjëse raportuan mbi nismat e ndërmarra drejt realizimit të aktiviteteve të parashikuara në Strategji. Të gjitha institucionet kanë filluar zbatimin e Strategjisë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e ministrisë.
Poashtu, zëvendësministrja Shala gjatë takimit ka deklaruar se nismat duhet të zbatohen brenda afateve kohore të përcaktuara, pa anashkaluar edhe cilësinë e këtyre nismave.
Postimi i plotë:
Zëvendësministrja Shala, mblodhi Grupin Koordinues ndër-Ministror kundër dhunës në familje
Në këtë takim, të kryesuar nga zëvendësministrja e Drejtësisë, Dr. Nita Shala, ishin të pranishëm edhe 22 përfaqësues të institucioneve vendore dhe përfaqësues nga organizata partnere që ndihmojnë në adresimin e këtij fenomeni.
Me hyrjen në fuqi të Strategjisë Kombëtare kundër dhunës në familje, mbetet obligim i institucioneve vendore ndërmarrja e hapave drejt zbatimit të aktiviteteve të planifikuara. Përfaqësues të institucioneve përgjegjëse raportuan mbi nismat e ndërmarra drejt realizimit të aktiviteteve të parashikuara në Strategji. Të gjitha institucionet kanë filluar zbatimin e Strategjisë. “Është e domosdoshme që të punojmë për të zbatuar nismat e parashikuara brenda afateve kohore por edhe me fokus të veçantë te cilësia e nismave” – theksoi zëvendësministrja Shala.
Lufta kundër dhunës në familje mbetet një fenomen shqetësues dhe vetëm përmes nismave të koordinuara mund të synohet sukses.