Fjalë Kyçe

Zgjedhjet e së dielës, Policia informon institucionet relevante për planin policor

Zgjedhjet e së dielës, Policia informon institucionet relevante për planin policor

Sot, drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka takuar disa prej drejtuesve të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për t’u koordinuar rreth mbarëvajtjes së zgjedhjeve të 14 shkurtit.Siç ka njoftuar Policia, Mehmeti së bashku me menaxhmentin e lartë kanë takuar kryetaren e KQZ-së, koordinatoren nacionale nga Prokuroria e Shtetit, komandantin e KFOR-it, shefin e EULEX-it, shefen e Zyrës Rajonale të Sigurisë pranë Ambasadës amerikane, ICITAP-in amerikan, përfaqësues të OSBE-së dhe përfaqësues të Zyrës së BE-së.

“Qëllimi i këtij takimi ishte i karakterit njoftues lidhur me implementimin e planit policor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, përmes të cilit Policia e Kosovës synon krijimin e një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e forcave të rendit.

Siç thuhet në njoftim, Policia i fton qytetarët që të bashkëpunojnë të dielën.

“Njëkohësisht institucionet relevante inkurajojnë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, KQZ-në dhe njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë, me procesin zgjedhor apo edhe jashtë tyre. Raportimet e juaja do të trajtohen në mënyrë konfidenciale, të njëjtat mund ti adresoni te Prokuroria e Shtetit dhe te Policia e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës do të mbahen këtë të diel më 14 shkurt.