Fjalë Kyçe

Zgjedhjet në Podujevë: Afati po mbaron, partitë ende s’kanë aplikuar në KQZ

Zgjedhjet në Podujevë: Afati po mbaron, partitë ende s’kanë aplikuar në KQZ

Podujeva ka mbetur pa kryetar komune, pasi Agim Veliu tashmë po drejton Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Derisa, kjo komunë pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, partitë politike kanë afat vetëm edhe 5 ditë që të certifikohen, por që të njëjtat ende nuk kanë aplikuar në KQZ.

Këtë për IndeksOnline e ka thënë, Valmir Elezi Zëdhënës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, derisa ai ka shtuar se sipas afateve të caktuara afati përfundon me 17 shkurt.

“Deri në përfundim të orarit të punës në ditën e mërkurë nuk kemi pranuar ndonjë aplikim të ndonjë subjekti politik për t’u certifikuar për të marrë pjesë në këto zgjedhje. Sipas afateve të përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, afati për aplikim për t’u certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje përfundon më 17 shkurt.

Pra, deri në këtë datë subjektet politike (partitë politike, koalicionet, kandidatët e pavarur dhe iniciativat qytetare) duhet të paraqesin aplikimin edhe emrin e kandidatit të tyre për kryetar të komunës”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së.

Elezi tutje ka treguar se çka duhet të plotësojnë subjektet politike kur aplikojnë.

“Subjekti politik i cili në zgjedhjet e fundit ka fituar së paku 1 ulëse në kuvendin e komunës në fjalë dhe nuk duhet të mbledhë nënshkrime të përkrahjes dhe as të paguaj për çertifikim. Ndërsa, subjekti politik i cili nuk ka fituar së paku 1 ulëse duhet të mbledhë 100 nënshkrime të përkrahjes së votuesve të regjistruar në atë komunë dhe të paguaj depozitën për çertifikim në shumën 200 euro”.

Ndërsa pas aplikimit zëdhënësi i KQZ-së ka shpjeguar se Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim i shqyrton të gjitha aplikimet nëse janë në pajtueshmëri me ligjin dhe paraqet në KQZ rekomandimin për certifikim ose jo.

“Përmbyllja e këtij procesi i hap rrugë tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike dhe kandidatëve në fletëvotim, që duhet të bëhet më së largu më 2 mars, ndërsa më 3 mars mund të fillojnë fushatën e tyre zgjedhore”.