Fjalë Kyçe

“Zhduket” SHSKUK-ja, spitalet planifikohen t’i kthehen nën mbikëqyrje direkte MSH-së

“Zhduket” SHSKUK-ja, spitalet planifikohen t’i kthehen nën mbikëqyrje direkte MSH-së

Riorganizim të shëndetësisë publike parasheh draftimi i Ligjit për shëndetësi, i miratuar fillimisht në majin e vitit 2013. Ligji për shëndetësi, nga ministri i atëhershëm, Ferid Agani, ishte konsideruar hapi i parë i reformës së sistemit publik.

Për herë të parë QKUK-ja nuk do të menaxhohej nga Ministria e Shëndetësisë, por do të krijohej bordi i cili do të merrej me menaxhimin e QKUK-së dhe spitaleve të përgjithshme.

Amendamentimi i Ligjit për shëndetësi, i nisur qysh në kohën e ish-ministrit Imet Rrahmani, por që nuk kishte arritur në Kuvend, e më pas ishte punuar fare pak për këtë çështje në kohën e ish-ministrit Uran Ismaili, është draftuar para disa javësh.

Në draftligj përcaktohet që menaxhimi i QKUK-së dhe i spitaleve do t’i kthehen Ministrisë së Shëndetësisë. Neni 64 i Ligjit aktual parasheh strukturën e udhëheqjes së QKUK-së dhe spitaleve të përgjithshme.

“SHSKUK drejtohet nga Bordi Drejtues; Bordi Drejtues është organi më i lartë vendimmarrës i SHSKUK-së; Bordi Drejtues përbëhet nga shtatë (7) anëtarë…”, thuhet në paragrafin e parë të nenin 64.

Bordi emërohet nga Qeveria me propozim të ministrit. Menaxhmenti i SHSKUK-së zgjidhet nga Bordi.

Në draftligjin aktual, SHSKUK-ja nuk do të ekzistojë fare si etnitet juridik, e rrjedhimisht as nuk do të këtë bord fare.

Kjo parashihet në nenin 95.

“QKUK udhëhiqet nga drejtori i përgjithshëm i QKUK-së, i cili emërohet nga ministri pas procesit të konkursit publik me mandat 4-vjeçar dhe me mundësi riemërimi; drejtori i QKUKsë emëron dy drejtorë, atë arsimor e profesional dhe administrativ, të cilët emërohen pas procesit të konkursit publik me mandat 4-vjeçar dhe me mundësi të riemërimit”, thuhet në këtë nen.

Me këtë rrjedhimisht Ministria sërish rikthehet në mbikëqyrësen e vetme të QKUK-së.

“Mbikëqyrjen e veprimtarisë së QKUK-së, SP-së dhe institucioneve të tjera publike të përcaktuara me këtë ligj e bën Ministria”, thuhet në draftligj.

Me projektligjin e ri, nëse kalon, spitalet rajonale përveç drejtorëve do të kenë edhe nga dy zëvendësdrejtorë. “Spitali i përgjithshëm udhëhiqet nga drejtori i përgjithshëm dhe dy zëvendësdrejtorë, ai profesional dhe administrativ, të cilët emërohen nga ministri pas procesit të konkursit publik me mandat 4-vjeçar”, thuhet në draft.

Edhe spitalet e përgjithshme i kthehen llogaridhënies për Ministrinë e Shëndetësisë.