Një zjarr i madh ka pezulluar trafikun dhe ka dëmtuar një urë kyçe që lidh Rusinë me Gadishullin ukrainas të Krimesë.
Gadishulli i Krimesë është aneksuar nga Moska më 2014.
Autoritetet në Moskë kanë thënë se sulmi i së shtunës është kryer me makinë-bombë, derisa një këshilltar në Presidencën ukrainase ka sugjeruar se ky akt përbën një tjetër shënjestër të Kievit ndaj operacioneve të Rusisë, shtatë muaj pas nisjes së luftës në Ukrainë.
Kievi ka thënë ditëve të fundit se është duke shënuar fitore në lindje dhe jug të Ukrainës, derisa forcat pro-ruse kanë pretenduar të kenë fituar kontrollin e zonës rreth qytetit Bakmut, në rajonin e Donjeckut.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, nga llogaritë pro-Ukrainës, është parë një zjarr i madh në seksionin hekurudhor në Ngushticën e Kërçit, por duket se edhe segmenti rrugor është dëmtuar po ashtu.
“Sot në orën 6:07, në anën e trafikut rrugor të urës së Krimesë ka shpërthyer një makinë-bombë, duke nisur zjarrin në shtatë rezervuarë të naftës që kanë qenë në rrugë drejt Krimesë”, kanë thënë agjencitë ruse të lajmeve, duke cituar Komitetin kundër-terrorizmit.
Kjo urë në Ngushticën e Kërçit është hapur nga presidenti rus, Vladimir Putin më 2018, katër vjet pasi Moska ka aneksuar Krimenë.
Vendkalimi është më shumë se 160 kilometra larg territorit të kontrolluar nga ukrainasit.
Mykhaylo Podolyak, këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky ka sugjeruar përfshirjen ukrainase dhe e ka konsideruar incidentin në urë si “fillim”, ndonëse ai nuk e ka konsideruar Kievin si përgjegjës për sulm.
“Krimeja, ura, fillimi”, ka thënë Podolyak në një postim në Twitter.
“Gjithçka ilegale duhet të shkatërrohet, gjithçka e vjedhur duhet t’i kthehet Ukrainës, gjithçka e pushtuar nga Rusia duhet të dëbohet”.
Kjo urë e hapur tre vjet më parë, është kthyer në simbol të revanshizmit rus dhe është përdorur për të transferuar trupat ushtarake, pajisjet dhe naftës nga Rusia në Ukrainë, për të zhvilluar luftën.
Një ekspert për shpërthime i ka thënë transmetuesit britanik BBC, se zjarri nuk është shkaktuar nga ndonjë raketë.
“Mungesa e dëmit konkret në sipërfaqen rrugore sugjeron se nuk është përdorur armë ajrore”, ka thënë ai.
Sipas tij, “një plan i mirëmenduar mund të ketë jetë arsyeja e zjarrit”.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.
Vetë Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.