Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pritën në takim kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj.
Në takim u bisedua për ngritjen e efikasitetit, llogaridhënien e sistemit gjyqësor, si dhe rritjen e dinamikës së procedimit të lëndëve në rastet civile.
Zogaj i njoftoi lidhur me strategjinë për trajtimin në afat sa më të shkurtër të rasteve, sidomos ato të natyrës civile.
Po ashtu, ai shtoi se me rritjen e numrit të gjyqtarëve në Gjykatën Supreme, asnjë lëndë nuk do të presë më shumë se tre muaj, ndërsa Gjykata e Apelit do t’i kryejë çdo muaj 1000 lëndë, prej prillit e tutje.
Kryesuesi i KGjK-së falënderoi Qeverinë për miratimin e vendimit për shpronësime për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore, të cilat janë të nevojshme për realizimin e projekteve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
U diskutua edhe për pezullimin e grevës së punonjësve të sistemit të drejtësisë, me ç’rast u fol për projektligjin për administratën e sistemit të drejtësisë dhe atë të pagave, si edhe për funksionalizimin e Gjykatës Komerciale.
Kryeministri Kurti falënderoi kryesuesin Zogaj për angazhimin e tij dhe ofroi mbështetjen e qeverisë me qëllim të adresimit të sfidave.