Fjalë Kyçe

ZRRE-ja licencon kompaninë e vëllait të shefit të kabinetit të Kurtit

ZRRE-ja licencon kompaninë e vëllait të shefit të kabinetit të Kurtit

Bordi i Zyrës e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në seancën e mbajtur të enjten ka marrë vendim për t’i aprovuar aplikacionet e dy kompanive për licencim të aktivitetit për furnizim me shumicë të energjisë elektrike, “Energy Kosova V.B” sh.p.k dhe “Management & Development Associates” sh.p.k.

“Management & Development Associates” (MDA) është kompani që drejtohet nga Driton Dalipi, vëllai i shefit të kabinetit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi. Më 30 maj të këtij viti, partitë opozitare hodhën akuza ndaj Qeverisë në detyrë për krijimin e “mafisë energjetike”, tek e kundërshtonin vendimin për daljen e disa bizneseve në treg të hapur të energjisë. Ata e përmendën aplikimin e kompanisë së vëllait të Dalipit si një nga dëshmitë për të mbështetur pretendimet e tyre. Pas akuzave të opozitës, Luan Dalipi ka reaguar duke thënë se vëllai i tij është qytetar i lirë dhe ka të drejtë të angazhohet në zhvillim biznesi, “si çdo qytetar tjetër në këtë vend”.

Në mbledhjen e Bordit të ZRRE-së gjithashtu u shqyrtuan dhe u aprovuan kërkesat e 11 subjekteve juridike dhe 14 personave fizikë për marrje të autorizimit për vetë-konsum, “me kapacitet total të instaluar prej 1282 kW”.

“Pjesë e shqyrtimit nga Bordi kanë qenë edhe ankesat e konsumatorëve dhe çështje të tjera që lidhen me funksionimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji”, ka njoftuar ZRRE-ja në Facebook.