Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka vendosur sot për kompensimin e qytetarëve që u është bërë faturimi për rrymën e shpenzuar në katër komunat veriore, nga shkurti i vitit 2012 deri në tetor të vitit 2017.
ZRRE ka obliguar Shërbimet e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që të kompensojnë vetëm konsumatorët të cilët vërtetohet se kanë qenë aktiv dhe kanë kryer detyrimet e pagesave, ashhtu që këta konsumatorë do të kompensohen duke u zbritur në faturat e rregullta mujore vlerën përkatëse të kompensimit.
Kjo do të bëhet duke filluar nga 1 qershori i këtij viti deri më 28 shkurt të vitit 2030.
“Bordi i ZRRE sipas Aktgjykimit të Gjykatës, ka vendosur që të obligojë Shërbimet e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që të kompensojë vetëm konsumatorët të cilët vërtetohet se kanë qenë aktiv dhe kanë kryer detyrimet e pagesave për periudhën nga data 06.02.2012 deri më datën 20.10.2017. Këta konsumatorë do të kompensohen duke u zbritur në faturat e rregullta mujore vlerën përkatëse të kompensimit. Sipas vendimit të Bordit të ZRRE-së, kompensimi i konsumatorëve do të bëhet duke filluar nga data 01 qershor 2024 deri më 28 shkurt 2030”, thuhet në njoftim.
Banorët në veri të Kosovës – shumica serbë – nuk kanë paguar për rrymën e shpenzuar që nga përfundimi i luftës, më 1999.
Refuzimi ka ardhur si pasojë e mosbindjes qytetare, por edhe ndikimit të strukturave të ndryshme atje, që kanë operuar nën dirigjimin e Serbisë.
Deri në fund të vitit 2017, rrymën e shpenzuar në veri e kanë paguar qytetarë të pjesëve të tjera të Kosovës, të cilët kanë marrë fatura me rritje.
Nga 2017-ta e këndej – për shkak të ankesave të shumta të qytetarëve – përgjegjësia për pagesën ka kaluar tek Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës, KOSTT. Subvencione ka ndarë edhe Qeveria e Kosovës.
Në vitin 2022, pastaj, Kosova dhe Serbia janë dakorduar për zbatimin e një marrëveshjeje për energjinë, të arritur qysh në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Në vitin 2017, institucioni i Avokatit të Popullit ka ngritur padi në gjykatë kundër vendimit të ZRRE-së, të vitit 2012, që rrymën në veri ta paguajnë qytetarë të zonave të tjera./Reporteri.net