Udhëtimet e tij për të eksploruar kulturat, traditat e vendet e ndryshme, tashmë ishin bërë të zakonshme për të.
E dy muaj më parë një udhëtim të tillë me shtëpizë, 59-vjeçari Roland Biefer nga St. Gallen në Zvicër e mori edhe për në Kosovë.
Ishte hera e parë që vizitonte këtë vend, e qëndrimin e kishte planifikuar ta bënte tek miku i tij nga Sadovina e Jerlive të Komunës së Vitisë, Bislim Shabani, me të cilin kishin punuar në Zvicër që nga viti 1995.
Rolandi me vete mori edhe qenin e tij Rokin.
Por udhëtimi i planifikuar për disa ditë ka përfunduar në muaj për shkak të pandemisë.
Ai bashkë me qenin e tij po e kanë të pamundur kthimin për në Zvicër, pasi që të gjitha pikat kufitare janë të mbyllura.
Banorët e këtij fshati thonë se janë treguar bujar me të dhe se edhe pse nuk e njohin gjuhën e njëri-tjetrit, por po ia dalin të kuptohen.
Edhe pse tashmë është bllokuar në Sadovinë, ai thotë se edhe kur të kalojë pandemia, do ta vizitojë përsëri Kosovën, pasi që në ditarin e tij ka të planifikuara për vizitë edhe lokacione të tjera.
Rolandi tregon se po i pëlqejnë mjaft shumë ushqimet kosovare, e që disa prej tyre ka mësuar t’i përgatisë edhe vetë, raporton KOHA.
E Bislim Shabani tregon për periudhën kur kishin punuar dikur bashkë me Rolandin, e që vazhdimisht i kishte folur për Kosovën.
Bislimi shprehet se është mirënjohës ndaj të gjithë banorëve të Sadovinës, të cilët e kanë mirëpritur mikun e tij zviceran dhe që raportet e tyre me të janë shumë të mira.
Edhe pse shtëpia e Bislimit ka mjaftueshëm hapësirë edhe për Rolandin, ai përsëri gjumin e tij po e bën në shtëpizën me të cilën erdhi.
Rolandi pas Kosovës do të duhej të vizitonte Shqipërinë e Malin e Zi, por për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi, këtë udhëtim nuk do ta realizojë.