Shërbimi i Doganës dhe ai i Rojeve kufitare duhet të veprojnë së bashku, “nën një kulm”. Të gjithë punonjësit e tyre në të ardhmen duhet që të trajnohen për kontrollimin e mallrave, personave dhe mjeteve të transportit, njofton srf.ch. Ata duhet po ashtu të bartin uniforma të njëjta, unike dhe sipas detyrës konkrete, edhe të jenë të armatosur.
Ky unifikim sjell më shumë efikasitet, është shprehur presidenti i Federatës së Zvicrës, Ueli Maurer, transmeton albinfo.ch. Ai në një konferencë për medie të mbajtur sot, ai ka bërë të ditur se i ka vendosur bashkë, “nën një kulm” ose në një zyrë të re të përbashkët federale shërbimin e doganës dhe atë të rojeve kufitare të Zvicrës.
Zyra e re do të quhet “Zyra Federale për Doganë dhe Siguri Kufitare” (Bundesamt für Zoll und Grenzsicherheit, BAZG).
Punonjësit e rinj dhe ata ekzistues do të duhet të kryejnë trajnim të një profili të ri. Ata do të jenë të angazhuar në një njësi të re të përbashkët operacionale. Kjo njësi do të zëvendësojë regjionet e sotme të rojave kufitare dhe qarqet doganore që veprojnë sot. Por, njësia do të jetë e strukturuar gjeografikisht.
Për Qeverinë Federale është me rëndësi që prania në kufij të mos reduktohet.
Falë digjitalizimit, forcat mund të angazhohen në mënyrë më efikase dhe më saktë të orientuar, përcjell albinfo.ch. Për të realizuar këtë, Këshilli Federal ka paraparë një softuer të ri, me emrin DaziT. Parlamenti i Zvicrës ka lejuar në vitin 2017 një buxhet prej afër 400 milionë frangash për këtë qëllim.
Dhoma Nacionale dhe ajo e Kantoneve në Parlamentin e Zvicrës kanë kërkuar prej vitesh rritje të personelit të rojeve kufitare. Ato nuk ishin të kënaqura me numrin e vendeve të reja të punës në këtë drejtim, të hapura nga Këshilli Federal. Ndërsa tash, qeveria e vendit thotë se me softuerin DaziT, do të ketë resurse të lira. Kjo do të mundüesojë angazhimin e disa qindra policëve shtesë në kufij.