Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bislim Zyrapi është pyetur në Gjykatën Speciale për dallimet e UÇK-së nga Armata Boshnjake.
Zyrapi është duke dëshmuar qe disa ditë në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ai ka thënë se dallimi ka qenë që në Bosnje ka pasur sistem të organizimit shtetëror. Vetë Zyrapi ka shërbyer edhe në Bosnje e Hercegovinë.
“Dallimi mes Armatës Boshnjake dhe UÇK-së është ky: Armata Boshnjake ka pasur sistemin komplet të jetës dhe organizimit, si të shtetit prej presidencës, qeverisë, ministrave, të gjitha dhe të gjithë ata eprorë që kanë qenë në dispozicion i ka sistemuar në Ushtrinë Boshnjake. Kurse te ne, e kemi formuar një ushtri që ka dalë nga vullneti i popullit dhe e cila nuk ka pasur këto struktura si qeverinë apo presidencën… Edhe eprorët që kanë ardhur, pas kërkesës sonë, janë ndaluar nga Qeveria e Përkohshme në Shqipëri dhe normalisht nuk kemi mund t’i kemi në dispozion këta eprorë, deri e kemi bërë atë marrëveshjen, që të hyjnë një pjesë e eprorëve”, ka thënë Zyrapi.
Në dëshminë e së mërkurës, Zyrapi ka thënë se i cilëson shumicën e librave për UÇK-si “të ekzagjeruar”. “Nuk e kam lexuar as librin e Jakup Krasniqit”, ka thënë ai.
Ish-shefi i Shtabit ka nisur dëshminë më 1 korrik. Kjo është dëshmia më e gjatë e dhënë në Speciale. Ai po dëshmon në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, që po akuzohen për krime lufte.