Fjalë Kyçe

Albin Kurti nuk mund të garojë në zgjedhje? Flet Miftaraj

Albin Kurti nuk mund të garojë në zgjedhje? Flet Miftaraj

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me votimin e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Pas këtij vendimi të plotë tashmë është zyrtare që Albin Kurti nuk mund të garojë në zgjedhje

Vendimi thotë se “në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Kushtetutës.

Edhe njohësi i çështjeve juridike, Ehat Mitaraj, ka thënë se me aktgjykimin e sotëm të plotë të Gjykatës Kushtetuese, u ndalohet të gjithë atyre që janë të dënuar në tri vitet e fundit me vendim të formës së prerë, të kandidojnë për postin e deputetit. Me këtë vendim, preket edhe lideri i VV-së, Albin Kurti, të cilit Apeli ia ka vërtetuar dënimin me kusht në verën e vitit 2018.

Miftaraj tha se aktgjykimi i sotëm vetëm sa ka konfirmuar atë që ka thënë Kushtetuesja në njoftimin e parë për këtë lëndë.

“Me këtë aktgjykim, Kushtetuesja ka rikonfirmuar atë që është thënë në njoftimin e parë, se të gjithë të dënuarit në tri vitet e fundit me vendim të formës së prerë nuk do të mund të kandidojnë për deputetë, përfshirë edhe Kurtin”, ka thënë Miftaraj.