Kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi, e ka zyrtarizuar Bedri Hamzën si kandidat për kryetar të Komunës së Mitrovicës.
Krasniqi përmes një shkrimi në llogarinë e tij në facebook, ka postuar fotografi me Hamzën, ku ndër të tjera thotë “Bedri Hamza është Kandidati i PDK-së për Mitrovicën në zgjedhjet e tetorit”.
PDK-ja me Hamzën synon ta rikthejë Komunën e Mitrovicës, pasi që dy mandatet e fundit Mitrovicën e ka fituar Agim Bahtiri me AKR’në.
Kundërkandidat i Bahtirit brenda partisë për momentin është vetëm Fatmir Hasani, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë treguar për televizionin nëse do të kandidojë edhe Armend Muja.
Një emër konsensual për kandidat të Komunës nga LVV është përmendur edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci.
E partia më e vjetër në Kosovë, LDK’ja, ka vendosur që kandidat i tyre të jetë një doktor.
Neurokirurg spinal, Armend Agolli në një shkrim të tij ka thënë se nuk do t’u premtojë qytetarëve ato që s’do të mund t’i arrijë.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Krasniqit:
Nga një qytet me rëndësi të veçantë siç është Mitrovica, dhe nga një vend i kujtimeve të mira siç është Ëmbëltorja Ballkan, jam shumë i lumtur ta shpërndaj një lajm po ashtu të veçantë, të mirë e të rëndësishëm që do t’i flladitë zemrat e qytetarëve të Mitrovicës.
Bedri Hamza është Kandidati i PDK-së për Mitrovicën në zgjedhjet e tetorit.
Një profesionist të lartë, një punëtor të madh, një njeri të urtë e të ndershëm si Bedri Hamzën do të donte ta kishte të vetin secila komunë. Por, këtë fat e ka Mitrovica.
Një fat i mirë dhe i rrallë ky që me padurim do të përqafohet nga të gjithë qytetarët – për t’i dhënë fund talljes së gjatë me qytetin e tyre, e për t’i dhënë seriozisht shans jetës që ata e meritojnë.
Sepse, të gjithë pajtohen: S’ka si Bedri Hamza!