Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka prezantuar para medieve trajnerin e ri të Shqipërisë, Edi Reja. Numri një i Federatës shpreson që skuadra të kthehet në rrugën e mbarë me teknikun italian në krye.
“Falënderoj zotin Reja që pranoi ftesën për të drejtuar Shqipërinë. Mendoj se kemi bërë zgjedhjen e duhur me vendosjen e tij në krye të kombëtares. I uroj shumë suksese në vazhdimësi”.
Pas urimit të rastit nga presidenti Duka, fjalën e ka marrë trajneri Edi Reja.
“Përshëndetje të gjithëve, shpresoj të kemi një bashkëpunim të mirë. Shpresoj të kemi një marrëdhënie të mirë me shtypin. Dua të falënderoj presidentin Duka që besoi me mua. Jemi takuar pas ndeshjes me Turqinë dhe erdha të shoh disa lojtarë. Nuk ishte eksperiencë e mirë, pasi Shqipëria humbi. Ekipi nuk ishte në kushtet maksimale”.
Reja dhe Duka shkëmbyen batutat e para dhe para se t’i linin vendin pyetjeve të gazetarëve firmosën kontratën para medieve.
Çfarë ju bindi të nënshkruani dhe objektivi juaj?
Nuk nënshkruaj më shumë se një vit në asnjë punë. Kam kontratë deri në nëntorin e 2019. Kisha mundësi të trajnoj në Itali, por thashë se nuk do të drejtoj më një klub vetëm kombëtare. Nëse do më vinte një kombëtare do e merrja në konsideratë. Takova Dukën dhe folëm pas ndeshjes me Turqinë. Më pas, ai më mori në telefon dhe më tha nëse do të doja të merrja Shqipërinë. Më vjen keq për Panuccin që nuk i shkoi mirë, më ka qëlluar dhe mua në karrierën time të gjatë të mos shkojnë gjërat si duhet. Jam i kënaqur për këtë eksperiencë, pasi nuk është njësoj si në kombëtare si në klub. Më duhet të ndjek lojtarët dhe t’i përzgjedh. Objektivi im është të jap maksimumin tim. Nuk jam një person që premtoj shumë dhe them se do bëj namin. Do mundohem të bëj maksimumin tim dhe aq.
Keni bashkëpunuar me Taren për shumë vite, ke marrë ndonjë këshillë nga ai?
Igli Tare më telefonoi kur e mori vesh se isha një nga kandidatët për stolin e Shqipërisë dhe më tha: “Çfarë bën në shtëpi, shko me vrap!”. Do të flas dhe me të kur të shkoj në Romë. Atje është dhe Strakosha që e kam përzgjedhur unë kur isha atje, pasi e kam ndjekur që fëmijë kur erdhi në prova dhe e pranova. Do e takoj kur të jem atje.
Çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të përsëritur veten në Euro 2016?
Më pëlqen të ndërtoj një ekip që sulmon dhe të jetë agresiv. Kjo është filozofia ime dhe nuk ndryshon pavarësisht rezultatit. Kjo varet dhe nga grupi që ke në dispozicion. Kur je në kombëtare nuk i ke lojtarët gjatë gjithë kohës dhe duhet t’i kuptosh shpejt situatat.
Pjesa financiare, pse zgjedhja ishte një trajner ekspert?
Duka: Ekipi kombëtar është krenaria më e madhe që kemi. Mendoj se kemi bërë zgjedhje të mirë që besoj se do të na japë atë që kemi nevojë. Një trajner ekspert. Kemi lojtarë të mirë që luajnë në liga të mira. Besoj se kemi nevojë për motivim dhe zoti Reja i ka të gjithë këta mundësi.
Reja: Pjesa financiare nuk ka ndikuar tek unë. Kam filluar të luajë që 18 vjeç dhe nuk kam ndalur. Nuk kam ardhur për pjesën financiare, por të bëj mirë.
Pse keni zgjedhur një kombëtare për një kontratë afatshkurtër?
E nisa me projekt të shkurtër, pasi nëse gjërat nuk shkojnë mirë për të dyja palët pse të vazhdojmë. Nëse gjërat shkojnë mirë atëherë i zgjasim bashkëpunimin. Ne duam të kualifikohemi në Europë. Objektivi ynë primar është të bëjmë mirë në sfidat e ardhshme. Kjo është primare dhe jo kontratat e mia.
Keni luajtur gjithmonë me 3 lojtarë në qendër, na thoni diçka për skemën?
Kam parë skuadrën që luajti me 4. Nëse luajmë me 3 duhet të kemi siguri. Duhet të shoh më nga afër lojtarët dhe t’i shoh dhe karakteristikat nga afër. Unë kam luajtur gjithmonë ashtu, por duhet parë nëse do të kemi lojtarët e duhur për ta bërë. Nuk duhet ta transformoj shumë filozofinë, por do e shohim. Kam parë që dhe De Biasi e ka bërë disa herë ka luajtur me 3.
Çfarë roli ka luajtur De Biasi që ju jeni në Shqipëri? Me kë do konsultohesh për të njohur lojtarët?
De Biasi është histori suksesi te Shqipëria. Kam një marrëdhënie të mirë me De Biasin, pasi kemi dhe raport njerëzor përveç dhe profesional. Panucci disi më pak, kemi respekt, pasi është më i ri. Kam folur me De Biasin dhe më ka treguar gjëra fantastike për Shqipërinë dhe kjo për shkak të rezultateve të mira që ka pasur. Mendoj se duhet të duartrokas për atë që ka bërë De Biasi ka qëndruar 4 vite këtu. Duhet përgëzuar dhe Tramezzani, pasi ka qenë ish-lojtari i imi. Njoh mirë dhe Xhimshitin, pasi i kam besuar kur ka ardhur në Itali dhe hap pas hapi po bën mirë dhe luan te Atalanta.
Sa do të qëndroni në Shqipëri dhe a do të shihni lojtarët e kampionatit shqiptar?
Shqipëria është një vend shumë i bukur, pse nuk duhet të qëndroj këtu? Ka plazhe fantastike. Durrësi është i bukur dhe afër Federatës. Unë duhet të qëndroj këtu, pasi duhet të njoh më tepër situatat rreth meje dhe të gjithë bashkëpunëtorët e mi.
A mendoni se ne kemi mundësi për t’u kualifikuar, kemi potencial?
Mendoj se kemi potencial për t’u munduar të luajmë. Nuk ka një skuadër që nuk merren rezultatet. Mund të luash me Francën dhe të marrësh rezultat. Duhet të luash me kokë, zemër dhe taktikisht. Mendoj se kemi skuadër që mund të bëjmë mirë.
Nëse një lojtar humb avionin, a do e lini jashtë si Panucci?
Nëse ka një disiplinë, duhet të bëhet gjithçka nga lojtarët për t’u respektuar. Lojtarët janë të njëjtë të gjithë. Kam drejtuar shumë lojtarë, kam pasur shumë cilësi disa, por kishin probleme koke dhe nuk kanë bërë mirë. Nëse është dikush që gabon, duhet ta pranojmë të gjithë, ne, lojtarët e tjerë dhe Federata. Nëse një lojtar thirret nga kombëtarja duhet të niset më pak se një orë.
A kemi ndonjë lojtarë nga kampionati shqiptar që mund t’iu shërbejnë për të ardhmen?
Mendoj se lojtarët shqiptarë i kemi në të gjithë Europën, madje dhe në kombëtaret e tjera. Duhet t’i vëzhgojmë të gjithë. Duhet t’i kontrollojmë të gjithë jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Europë.
Trajnerët italianë kanë dështuar në Europë me mentalitetin e tyre, a mendoni se duhet të ndryshoni filozofinë?
Trajnerët italianë Sarri, Ancelotti dhe Kapelo kanë fituar. Ne kemi bërë mirë në çdo vend të botës. Nuk mund të themi se nuk jemi të mirë. Në champions kanë rol dhe lojtarët jo vetëm trajnerët. Ne nuk shpenzojmë më shumë në kampionatin tonë. Flitet momentalisht, pasi Ajaxi eliminoi Juventusin.
Reja e merr në konsideratë Lenjanin?
Ai duhet të shohë kombëtaren jo për trajnerin, por për veten dhe federatën.