Fjalë Kyçe

Zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit do ta vizitojë Kosovën

Zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit do ta vizitojë Kosovën

Zëvendëssekretari për Menaxhimin dhe Burimet në Departamentin amerikan të Shtetit, Richard Verma, do të vizitojë Kosovën, Shqipërinë dhe Serbinë nga 7 deri më 11 janar. Sipas njoftimit, vizitën do ta nisë në Shqipëri.

Në Tiranë, ai do të diskutojë përparimin demokratik të Shqipërisë, aftësitë mbrojtëse dhe thellimin e lidhjeve ekonomike me Shtetet e Bashkuara dhe do të falënderojë Qeverinë e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme për afganët.

Në Kosovë, siç thotë njoftimi i Departamentit të Shtetit, Verma do të diskutojë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, “si dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike për të mirën e të gjithë kosovarëve”.

Ai gjithashtu do të falënderojë Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e Ukrainës dhe për ndihmën që e ka dhënë për afganët.

Në Serbi, Zëvendëssekretari do të theksojë partneritetin strategjik në rritje SHBA-Serbi për energjinë dhe çështje të tjera ekonomike. Ai do të ofrojë mbështetje për integrimin e Serbisë në institucionet evropiane, normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, forcimin e sundimit të ligjit dhe bashkëpunimin më të ngushtë dypalësh për çështjet ushtarake dhe të sigurisë.

Ai gjithashtu do të riafirmojë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa ato ndjekin integrimin euroatlantik dhe bashkëpunimin më të thellë rajonal.