Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani priti sot në takim Ambasadorin e Turqisë në Republikën e Kosovës, Çağrı Sakar.
Siç njofton LDK, në takim ambasadori e njoftoi Osmanin se Turqia është e interesuar të vazhdojë të përkrahë Kosovën dhe të rrisë bashkëpunimin në rrafshin politik, diplomatik dhe atë ekonomik.
Nënkryetarja Osmani, nga ana tjetër, e njoftoi ambasadorin turk për procesin zgjedhor në Kosovë dhe ecurinë e bisedimeve me LVV-në, si dhe për sfidat që e presin Kosovën në vijim.
Ajo theksoi se institucionet e Kosovës duhet të përqendrohen në çështje e tema që janë preokupim i qytetarëve të Kosovës, siç janë sundimi i ligjit, punësimi, arsimi e shëndetësia. Për më tepër, ajo theksoi edhe reformat që janë të nevojshme për integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike, si orientim i qartë strategjik i popullit të Kosovës.