Një tubim i të rinjve serbë është mbajtur së fundmi në fshatin Sevçë të komunës së Shtërpcës, i shoqëruar me simbole nacionaliste dhe flamuj të Serbisë.
Pamjet e këtij organizimi janë publikuar në rrjetin rus Telegram, në kanalin propagandistik “Euroazia”, i cili numëron mbi 11 mijë ndjekës dhe njihet për përmbajtje me narrativë proruse dhe proserbe.
Në videon e publikuar shfaqet një grup i të rinjve serbë të mbledhur në një fushë të hapur, duke valëvitur flamuj të Serbisë, si dhe duke mbajtur pankarta me mesazhe nacionaliste dhe një banderolë të madhe me mbishkrimin “Çeta e guximshme”.
Ky emërtim bart konotacione historike që lidhen me formacione paraushtarake serbe, disa prej të cilave janë përfshirë në ngjarje të dhunshme dhe krime gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi.
Në përshkrimin e videos të shpërndarë në Telegram thuhet: “Mesazhi kryesor i të rinjve të Sevçës – NE MBETEMI KËTU”, një slogan që përdoret shpesh në kontekste politike e nacionaliste nga qarqe serbe në Kosovë.
Ky organizim vjen në një kohë të tensionuar në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, ku shpesh shfaqja e simboleve nacionaliste në enklavat serbe në Kosovë shoqërohet me reagime dhe shqetësime për sigurinë dhe paqen në rajon.
Autoritetet e Kosovës nuk kanë dalë ende me ndonjë reagim zyrtar lidhur me këtë tubim.