Fshatrat Qirez dhe Polac të komunës së Skenderajt gjatë ditës së sotme janë bërë me rrugë të reja, krejt kjo si rrjedhojë e investimeve të organeve komunale.
Për të përuruar rrugët në Qirez dhe punimet në Polac ka dalë edhe kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari.
Ai tha se asfaltimi i rrugëve në këto dy fshatra do të shërbejë në kuadër të përmirësimit dhe lehtësimit të jetesës së banorëve.
I pari i komunës, po ashtu bëri të ditur se kanë arritur të përmbyllur projektin jetik të banorëve të Polacin, e që është rregullimi i ujësjellësit.
Këtyre projekte iu gëzuan edhe banorët e fshatit Polac. Rushit Beka tha se asfaltimi i kësaj rruge është me interes të të gjithëve, pasi sipas tij në stinën e dimrit kalimi këndej është i vështirë.
“Kjo rrugë është me interes të fshatit dhe të lagjes. Kanë qenë disa shtëpi pa rrugë. Gjatë dimrit dhe vjeshtës ka vështirësi edhe për shkak të nxënësve dhe qytetarëve”, tha ai.
Ndërsa, banori tjetër Jusuf Hoti u shpreh falënderues ndaj të parit të komunës, derisa tha se janë duke u punuar disa rrugë të mira në fshatin e tij.