Pas vendimit të PZAP-it për rinumërim të 1472 vendvotimeve, në mbledhjen e KQZ u mor vendim që të pritet deri në përfundimin e afateve ligjore për të nisë rinumërimi i këtyre votave, edhe pse deri më tani nuk ka ankesë nga ndonjë subjekt politik për rinumërim.
Kryetarja e KQZ, Valdete Daka tha se pasi të përfundojnë afatet ligjore, KQZ do të kërkojë rinumërimin e 1472 vendvotimeve.
“Jemi të obliguar që të bëjmë rinumërim, ngase nuk ka pasur ankesa deri më tani për vendimin e PZAP për rinumërimin e 1472 vendvotimeve. Edhe pse unë e di që nuk ka ankesa në Supreme për këtë, dhe duhet të përgatitet QNR-ja për çdo moment”, deklaroi Daka.
Mësohet se nesër pritet KQZ të merr vendim që të nisë rinumërimi i këtyre votave. Ndërsa, për vendimin tjetër në favor të ankesës së koalicionit Nisma-AKR-PD lidhur me votat e ardhura nga Serbia, kryetarja e KQZ-së tha se për këtë vendim ka ankesë në Supreme dhe se duhet të pritet, duke mos dhënë më shumë detaje.
Ndryshe, anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Adnan Rrustemi, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka njoftuar se Enver Haliti, Arta Bajralia dhe Alban Hyseni, të shpallur nga KQZ si deputetë të listës fituese të kësaj partie, kanë bërë ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të PZAP.
Ai shkruan se më 7 nëntor, KQZ shpalli rezultatet përfundimtare, duke nxjerrë Lëvizjen me 32 deputetë, aq sa i dha populli.
“Të bindur se këto vendime janë politike në thelb e në formë, tre kandidatët tanë, Enver Haliti, Arta Bajralia dhe Alban Hyseni, të shpallur nga KQZ si deputetë të Listës fituese të Lëvizjes, kanë bërë ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të PZAP-së, e në mbrojtje të së drejtës së tyre si deputetë të zgjedhur, si dhe votën e qytetarëve për Lëvizjen Vetëvendosje“, shkruan Rrustem