Pas mbledhjes së sotme të kryesisë së Lidhjes Demokratike e Kosovës është rikonfirmuar se kjo parti nuk do bëjë koalicion me PDK, derisa në mbledhjen e radhës pritet të dihet kandidati për kryeministër nga LDK, dhe koalicioni parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ish deputetja e kësaj partie, Vjosa Osmani për të cilën po flitet se do jetë kandidate për kryeministre nga LDK-ja për këtë tha se do të njoftojë ditëve në vijim.
Sipas saj, temat për të cilat kanë diskutuar sot ende nuk kanë përfunduar.
E pyetur rreth mungesës së Lufti Hazirit dhe Agim Veliu në këtë mbledhje të kryesisë, Osmani tha se arsyeja duhet të mësohet nga vetë ata.
Në anën tjetër, zëdhënësi për media në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa pas përfundimit të mbledhjes tha se gjatë këtij takimi është rikonfirmuar se LDK nuk do ketë koalicion me PDK-në.
Sipas tij, në Këshillin e Përgjithshëm do të diskutohet edhe për vullnetin e këtij subjekti politik për koalicionin e mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje.
Mustafa ka theksuar se në këtë takim është rikonfirmuar se LDK-së i takon posti i kryeministrit, derisa deklaroi se në mbledhjen e kryesisë e cili pritet të mbahet gjatë ditës së hënë do të diskutojnë për mandatarin e tyre për kryeministër.
Ai tha se diskutimet për mandatarin për kryeministër janë hapur gjatë kësaj mbledhje të kryesisë por që detajet do të diskutohet të hënën gjatë mbledhjes së kryesisë.
I pyetur për mospjesëmarrjen e Lufti Hazirit dhe Agim Veliut në këtë mbledhje të kryesisë, Mustafa u shpreh se nuk është i sigurt.
Mustafa tha se për momentin po diskutojnë vetëm për koalicionin e mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas tij, në LDK ka mjaft kandidat që janë të përgatitur për të marrë postin e kryeministrit.
Kujtojmë që në mbledhjen e sotme të kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk ishin prezent Lufti Haziri dhe Agim Veliu. Ndërsa u përfol se kandidat për postin e kryeministrit të Kosovës nga LDK është Vjosa Osmani.