Kryekuvendari Kadri Veseli reagoi pas dorëheqjes së SHBA-së nga bordi i Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, njëjtë siç kishin vepruar britanikët më parë, pasi shfaqën hapur kundërshtimin e tyre që Naser Shala të udhëheqë me këtë agjenci.
Veseli tha se këto dorëheqje janë një lajm i keq dhe duhet të alarmohemi të gjithë. Sipas tij, proceset e shtetndërtimit të Kosovës janë arritur falë mbështetjes së këtyre miqve dhe me ndihëm e tyre mund të tejkalojmë edhe sfidat që e presin vendin.
“Dorëheqja e miqve tanë amerikanë dhe britanikë nga Bordi i Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës është një lajm i keq për Kosovën dhe duhet të alarmohemi të gjithë. Liria, pavarësia dhe proceset e shtetndërtimit të Kosovës janë arritur vetëm falë mbështetjes së pakursyer të aleatëve dhe, po ashtu, vetëm me ndihmën e tyre mund t’i përballim sfidat që kemi përpara”, tha Veseli.
Kreu i PDK-së shtoi se nepotizmi jo vetëm që po e dëmton shtetin tonë dhe po i detyron të rinjtë të ikin nga vendi, por edhe po i cenon rëndë marrëdhëniet jetësore me aleatët tanë më të ngushtë.
“Kjo ngjarje është dëshmi e qartë se lufta ndaj nepotizmit dhe korrupsionit është një domosdoshmëri, prandaj unë e kam nisur këtë luftë me një vendosmëri të madhe dhe do t’i shkoj deri në fund. Për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën, ne duhet të luftojmë pakompromis korrupsionin”, përfundoi Veseli.