Fjalë Kyçe

1 muaj paraburgim ndaj dy të akuzuarve për vjedhje të rëndë në Podujevë

1 muaj paraburgim ndaj dy të akuzuarve për vjedhje të rëndë në Podujevë

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, ua ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të dyshuarve për “vjedhje të rëndë”, B.G., dhe V.A.

Një masë e tillë, është caktuar pas seancës dëgjimore, që është mbajtur të premten, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, e ka përpiluar prokurorja Hava Krasniqi dhe përfaqësuar nga prokurorja Ferdane Sylejmani.

Sipas prokurores në fjalë, si dhe kërkesës së parashtruar në gjykatë në lidhje me masën, kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarve për shkak se sipas të njejtës ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, ndikimit në dëshmitarë dhe arratisjes.

Prokurorja Sylejmani shtoj tutje se me qëllim të zbatimit të suksesshëm të kësaj procedure, masa e vetme e sigurisë është paraburgimi, pasi sipas saj masat tjera janë të pamjaftueshme dhe jo adekuate.

Ndërkaq, mbrojtësi i të dyshuarit B.G., sipas detyrës zyrtare, avokati Remzi Potoku, e ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë, duke kërkuar nga gjykata që i pandehuri të lirohet në procedurë të rregulltë, deri sa kjo çështje të kryhet me vendim të formës së prerë.

Me konstatimet e mbrojtësit të tij, është pajtuar edhe i dyshuari në fjalë, duke e kundërshtuar kërkesën e prokurorit për caktimin e paraburgimit ndaj tij.

Tutje, mbrojtësi i të dyshuarit V.A., sipas detyrës zyrtare, avokati Behxhet Muçiqi, e ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë, duke kërkuar nga gjykata që të pandehurit t’i caktohet një masë alternative konform dispozitave të KPPRK-së.

Me konstatimet e mbrojtësit të tij, është pajtuar edhe i dyshuari V.A, duke e kundërshtuar kërkesën e prokurorit për caktimin e paraburgimit ndaj tij.

Më pas, gjykatësi i procedurës paraprake Minir Hoti, ka caktuar për të dyshuarin masën e paraburgimit, e cila do të llogaritet nga 20.10.2021 dhe do të zgjasë deri më 20.11.2021.

Duke qenë se i dyshuari V.A, është përfshirë në dy raste, ato i janë bashkuar në një procedurë.

Ndryshe, sipas kërkesës së prokurorisë mbi caktimin e masës së paraburgimit, të datës 21.10.2021, V.A dyshohet se me datën 02.07.2021, rreth orës 03:30 në Podujevë, në rrugën “28 Nëntori” në lokalin “Deppo Market”, i pandehuri V.A., bashkë me të pandehurin A.H, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër, me anë të përdorimit të forcës, e thyejnë dritaren e zyrës së marketit, pronë e ankueses Zyhrije Blakçori, ku pas depërtimit brenda, tentojnë të vjedhin kasafortën, e në pamundësi të vjedhjes së kasafortës për shkak të peshës së rëndë vjedhin DVR – pajisje për regjistrimin e video incizimeve, me ç’rast të dëmtuarës i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material.

Me këtë ai dyshohet për veprën penale “Vjedhje e rëndë” nga neni 315 par.1 pika 1.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërsa, në kërkesën e dytë, të po të njejtës datë, thuhet se me datën 08.10.2021, rreth orës 00:10, në Podujevë, në rrugën “Agron Rrahmani” në lokalin kafiterinë “Urban Caffé”, të pandehurit me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër, me anë të përdorimit të forcës e thyejnë derën e lokalit, pronë e ankuesit Besart Hasani, ku pas depërtimit brenda arrijnë të vjedhin para të gatshme në vlerë prej 70 euro, dy telefona celular të markës “Samsung”, kanë dëmtuar aparatin për ftohje të pijeve në vlerë prej 100 euro, dëmtimin e derës kryesore të lokalit në vlerë 150 euro, me ç’rast të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material.

Me këtë ai dyshohet për veprën penale “Vjedhje e rëndë” nga neni 315 par.1 pika 1.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Neni 315 par.1 pika 1.1 i KPRK-së, thotë se: “Kushdo që kryen vjedhje nga paragrafi 1. i nenit 313 të këtij Kodi, dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) deri në shtatë (7) vjet, nëse:

1.1. vepra është kryer duke thyer, kaluar apo depërtuar me forcë në veturat e mbyllura, ndërtesat, dhomat, arkat, sanduqet apo hapësirat tjera të mbyllura ose duke hequr pengesat tjera me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme”.