Fjalë Kyçe

Protestat në Tiranë: Ndalohen 11 persona, shtatë të tjerë lihen të lirë

Protestat në Tiranë: Ndalohen 11 persona, shtatë të tjerë lihen të lirë

Gjatë së mërkurës, ka vazhduar protesta në Tiranë, derisa kanë vazhduar hetimet për personat e dyshuar se janë përfshirë në veprime të kundërligjshme.

Sipas autoriteteve shqiptare, 11 persona janë arrestuar, derisa shtatë të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Policia e Tiranës ka bërë të ditur se ka vijuar veprimet hetimore për identifikimin dhe dokumentimin e veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë protestës.

Ndërkohë, në lidhje me sulmin ndaj Komisariatit të Policisë Nr. 3, është identifikuar dhe ndaluar një 33-vjeçar me inicialet E. K., i dyshuar se gjatë tubimit të zhvilluar tri ditë më parë ka dëmtuar me sende të forta ambientet e komisariatit.

Sipas Policisë, gjatë incidenteve, godina e komisariatit dhe punonjësit e Policisë u sulmuan me lëndë piroteknike, gurë dhe bomba molotov. Si pasojë, në godinë u shkaktua zjarr dhe dëmtime materiale, ndërsa u dëmtuan edhe 10 punonjës policie.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Personat e përfshirë po hetohen për disa vepra penale, mes tyre shkatërrimi i pronës, shkatërrimi i pronës me zjarr, goditjet për shkak të detyrës, kundërshtimi i punonjësve të Policisë, pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme dhe shkelja e rregullave për lëndët plasëse e djegëse.