Fjalë Kyçe

1 vite burgim me kusht dhe 600 euro gjobë për të akuzuarin se vodhi dy palë trenerka dhe një palë atlete

1 vite burgim me kusht dhe 600 euro gjobë për të akuzuarin se vodhi dy palë trenerka dhe një palë atlete

Drenas – Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, e ka dënuar me një vjet burgim dhe 600 euro gjobë, M.Z., i cili akuzohet se në tetor të vitit të kaluar i’a vodhi dy palë trenerka dhe një palë atlete të dëmtuarit H.R., në Kompleksin Banesor “L”, në komunën e Drenasit.

Sipas aktgjykimit të marrë nga gjykatësi Shefqet Baleci, dënimi me burgim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në periudhën verifikuese prej dy vitesh nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit të shpallur më 22 mars të këtij viti, i siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, i akuzuari po në këtë seancë fillestare e ka pranuar fajësinë me të cilën ngarkohej.

I dëmtuari H.R., për realizimin e kërkesës pasurore-juridike në këtë rast është udhëzuar në kontest civil.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në janar të këtij viti ka ngritur aktakuzë ndaj M.Z., me arsyetimin se në tetor të vitit të kaluar në Drenas, i akuzuari me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm pasuror, kishte hyrë në Kompleksin Banesor “L.”, dhe tek pushimorja ndërmjet katit të pestë dhe gjashtë, të dëmtuarit H.R., ia kishte marr dy palë trenerka dhe një palë puma të cilat ishin duke u terur në koridorin e ndërtesës.

Sipas prokurorisë, i akuzuari atletet e të dëmtuarit i kishte mbathur menjëherë, ndërsa atletet e tij i kishte lënë tek vendi i ngjarjes, duke i shkaktuar të dëmtuarit dëm material.

Me këtë, M.Z., akuzohej se ka kryer veprën penale “Vjedhja, nga neni 313 paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi