Jeta e ka sfiduar Irem Krasniqin që në moshë të re.
Por 11-vjeçarja nga Prizreni nuk është dorëzuar.
Megjithëse ka humbur shikimin e plotë në moshën 8-vjeçare, ajo ka pranuar që të luftojë me vendosmëri ndaj çdo vështirësie, duke u bërë shembull i refuzimit të kufizimeve, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në të njëjtën kohë është edhe burim i frymëzimit për rrethin e saj, por edhe për liderët politikë lokalë.
“Reliefi” i Iremit
Së fundmi, Iremi është aftësuar në artizanatin e quajtur “Relief”.
Me punëdore ka realizuar disa punime artistike. Babai i saj, Orhan Krasniqi, tregon se rastësisht në Prizren e kishte takuar trajneren nga Konya e Turqisë, Nur Akbash, me ç’rast e kishte pyetur nëse Iremi mund të marrë pjesë në kursin e artizanatit.
“Bashkë me Iremin shkuam dhe nuk e dinim se çfarë mund të bëjë. Por vetëm ia shpjeguam mënyrën se si Iremi mund të vizatojë me anë të pajisjes për shtypje. Pastaj unë i kam lënë në sallë dhe ato janë marrë vesh ndërmjet vete”, ka thënë Krasniqi. Ndërsa Iremi tregon se me pajisjen për shtypje ka vizatuar fillimisht format dhe pastaj i ka prerë, duke i radhitur e ngjitur më tej ato, për të krijuar veprat në artizanatin “Relief”.
“Natyrisht, me ndihmën e duhur të trajneres i kam realizuar disa punime. Në ndonjërën prej tyre kam pasur vështirësi, por në përgjithësi ka qenë e lehtë për mua”, tregon Iremi.
Ajo pohon se kursi ka qenë 4-mujor, por se është regjistruar me vonesë dhe për 2 muaj ka arritur që të aftësohet e të marrë certifikatën përkatëse, ndonëse ka qenë fëmija i vetëm në grup.
“Kam arritur që t’i realizoj tri punime ‘relief’, si ‘Gruaja afrikane’, ‘Kuzhinieri’ dhe ‘Kaftan’. Punimi më i dashur për mua është ‘Gruaja afrikane”, ka deklaruar Iremi.
Ajo pohon se aftësimi në punëdore ka qenë i dobishëm për të, marrë parasysh se trajneret dhe grupi i kursisteve kanë krijuar një harmoni të mirë.
“E dua punëdoren. Kam dëshirë që të vazhdoj me realizimin e punimeve të tilla”, ka deklaruar ajo.