Fjalë Kyçe

12 nxënës nga Prishtina helmohen nga ushqimi gjatë një ekskursioni në Mitrovicë

12 nxënës nga Prishtina helmohen nga ushqimi gjatë një ekskursioni në Mitrovicë

12 nxënës të Shkollës Fillore “Nexhmi Mustafa” në fshatin Besi të Prishtinës janë helmuar sot në qytetin e Mitrovicës, ku kishin shkuar për ekskursion.

Të njëjtit janë duke u trajtuar në Spitalin Rajonal të Mitrovicës dhe gjendja e tyre shëndetësore është stabile.

Helmi dyshohet se është për shkak të ushqimit.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, Fahri Shabani.

Ai tha se Instituti i Shëndetit Publik i ka marrë mostrat dhe se më pas do të dalin me rezultate.

“E rëndësishme është që gjendja shëndetësore e nxënësve është e mirë. Janë duke u trajtuar në Spitalin e Mitrovicës. Vetëm dy prej tyre kanë qenë në gjendje më të rëndë, ndërsa të tjerët janë në gjendje stabile. Dyshohet se helmimi është për shkak të ushqimit. Instituti i shëndetit Publik i ka marrë mostrat dhe më pas do të dalë me rezultate”, deklaroi Shabani.

Ai shtoi se nxënësve u janë paraqitur simptomat si kokëdhimbje dhe të vjella derisa ishin duke luajtur në park. Ndaj, siç tha, nuk mund të konfirmojnë nëse janë helmuar nga ushqimi në park apo në ndonjë restorant.