Bojken Abazi, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje nga Shqipëria ka rrëfyer për jetën dhe karrierën e tij.
Abazi thotë se dëshira e tij për t’u anëtarësuar në Vetëvendosje, ka filluar krejt rastësisht kur ai ishte befasuar nga një fjalim i Albin Kurtit në televizion.
Ai më pas thotë se kontaktet e para me organizatën kanë filluar në kohën kur aktivistët nga Kosova po diskutonin në Tiranë për Pakon e Ahtisarit.
Abazi thotë se qysh nga shkolla e mesme kishte kontakte me shqiptarët e Kosovës, por periudha e luftës e lidhi edhe më shumë me bashkëkombësit e tij kur në shtëpinë e tij strehoi familjen nga Kosova, transmeton Telegrafi.
Aktivisti tregon se në vitin 2010 është vendosur në Prishtinë, ndërsa familja e tij jeton në Tiranë.
Duke folur për 17 shkurtin e vitit 2008 kur Kosova shpalli Pavarësinë, Abazi thotë se për Lëvizjen Vetëvendosje ai akt ishte një para, por dy mbrapa.
“Ajo shpallje ka pasur disa probleme. Lëvizja Vetëvendosje e kishte quajtur Pavarësinë, një hap para, dy hapa mbrapa sepse lidheshin me Planin e Ahtisarit dhe decentralizimin mbi baza etnike, që edhe sot po ja shohim sherrin. Atë ditë ishte hedhur një lloj baze që kishte thelluar ndarjen mes shqiptarëve dhe pakicës serbe dhe i ka bërë më tepër të lehtë Beogradit që të ndikojë qoftë politikisht apo ekonomikisht në Kosovë. Ky ka qenë shqetësimi ynë [si Vetëvendosje] për Pavarësinë e Kosovës”, tha ai në RTV Dukagjini.
Për flamurin e shtetit të Kosovës, Abazi ka thënë se atij nuk i ngjallë ndonjë emocion pozitiv apo negativ, por ai flamur, sipas tij, nuk përfaqëson popullin e Kosovës.
“Së paku flamuri duhej të hidhet në votë. Ka shumë argumente se edhe Kosova mund të mbante flamurin Kuq e Zi”.