Fjalë Kyçe

26-vjeçari ishte me dy vëllezërit e tij kur u ther për vdekje në Pejë, flasin familjarët

26-vjeçari ishte me dy vëllezërit e tij kur u ther për vdekje në Pejë, flasin familjarët

Elvis Mekaj, 26-vjeçar, ndërroi jetë sot në Spitalin e Pejës, pasi që nuk arriti t’u bënte ballë plagëve që mori nga therja me thikë në lagjen “Fidanishte”, rreth orës 14:45.

Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar, njëri prej të cilëve dyshohet për veprën penale “Vrasje”, ndërsa tjetri për veprën penale “Lëndim trupor”.

Një familjar i Elvisit në kushte anonimiteti e ka treguar për Sinjalin ngjarjen e cila tronditi qytetin e Pejës.

Sipas tij, 26-vjeçari ka qenë i shoqëruar nga dy vëllezërit e tij, kur është sulmuar me thikë nga i dyshuari Kushtrim Selimaj, i cili është arrestuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Vrasje”.

Ky familjar thotë se për t’i dalë në mbrojtje Elvisit, njëri nga vëllezërit e të ndjerit e ka sulmuar me thikë të dyshuarin në kokë.

“Nuk e dimë se si ka ndodhur ngjarja, mirëpo e dimë që i dyshuari e ka sulmuar i pari. Viktima ka qenë bashkë me dy vëllezërit e tij, njëri prej tyre është arrestu, sepse e ka goditur të dyshuarin me thikë në kokë”, tha familjari.

Ai tha se Elvisi edhe më parë ka pasur probleme me të dyshuarin, pasi që i njëjti, sipas tij, dyshohet se edhe më parë kishte therur me thikë njërin nga vëllezërit e 26-vjeçarit.

“Elvisi ka pasur probleme edhe më herët me të njëjtin, madje njëri nga vëllezërit e tij është therur para një kohë nga i njëjti person. Ai ka qenë në burg për një kohë.”

Ai shtoi se gjendja e familjarëve është “e tmerrshme”.

“Gjendja e familjarëve është e tmerrshme, veç ishalla Zoti iu ndihmon, se vdekje e ranë, po çka me ba”, shtoi ai.

Ndërsa, njëri nga shokët e Elvisit e përshkroi Elvisin si djalë të urtë e të sjellshëm.

“Elvisi ka qenë djalë i sjellshëm dhe i urtë”, tha ai.

Sinjali mëson se në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe janë sekuestruar dy thika, të cilat dyshohen se janë përdorur në këtë rast.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.