Fjalë Kyçe

Mustafa i reagon BE-së: Një ditë do të kërkoni që edhe frymë mos të marrim pa e dialoguar me Serbinë

Mustafa i reagon BE-së: Një ditë do të kërkoni që edhe frymë mos të marrim pa e dialoguar me Serbinë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa e ka kundërshtuar kërkesën e BE-që që çështja e Trepçës të trajtohet në dialogun e Serbinë.

Përmes, një postimi në profilin e tij në Facebook, Mustafa ka shkruar se është habitur nga kjo kërkesë, duke shtuar se kjo është një kërkesë absurde dhe e papranueshme, ashtu siç është e papranueshme që me Serbinë të dialogohet për kufijtë dhe për territorin e Kosovës, shkruan Gazeta Alo.

Ai ka bërë thirrje që në këto raste të jenë bashkë dhe të kundërshtojnë fuqishëm që në emër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë të dialogohen çështjet e sovranitetit dhe integritetit tonë shtetëror.

Postimi i tij i plotë:

Të nderuar qytetarë

Më habiti kërkesa e BE-së që çështja e Trepçës të trajtohet në dialogun me Serbinë. Kosova në asnjë fazë nuk ka pranuar që për Trepçën dhe pasuritë e saj natyrore, të cilat janë në territorin e saj, të dialogojë me Serbinë. Është kjo një kërkesë absurde dhe e papranueshme, ashtu siç është e papranueshme që me Serbinë të dialogohet për kufijtë dhe për territorin e Kosovës.

Në mandatin, kur unë isha Kryeministër i vendit, përgatitëm dhe aprovuam Ligjin për Trepçën, duke e shpëtuar këtë simbol ekonomik të vendit nga falimentimi dhe privatizimi. Deputetët e LDK-së votuan para disa ditësh Statutin e Trepçës, i cili mori 2/3 e votave në Kuvend. Kjo flet për unitetin tonë karshi interesave jetike të vendit.

Duhet të jemi bashkë dhe fuqishëm të kundërshtojmë që në emër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë të dialogojmë çështjet e sovranitetit dhe integritetit tonë shtetëror. Çështjet e shtetësisë sonë! Sepse, kështu si kanë filluar, një ditë do të kërkojnë që edhe frymë mos të marrim pa e dialoguar me Serbinë! IM/Gazeta Alo/