Fjalë Kyçe

Ahmeti thotë se nuk shkojnë në Bruksel nëse dialogu nuk përfundon me njohje nga Serbia

Ahmeti thotë se nuk shkojnë në Bruksel nëse dialogu nuk përfundon me njohje nga Serbia

Bashkëkryesuesi i ekipit negociator Shpend Ahmeti pasi i kanë dorëzuar platformën për dialogun kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se me sot po u jepet fund spekulimeve se çka përmban platforma në fjalë si dhe a ka rrezik për territorin e Kosovës, shkruan Gazeta Alo.

“Mendoj se e kemi bërë të qartë se cili është qëndrimi zyrtar i ekipi nëse aprovohet nga kuvendi karshi fazës përfundimtare të dialogut. Kryetari Veseli i përmendi disa gjëra, unë po i përmendi disa gjëra të rëndësishme; platforma bazohet plotësisht në kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe është obligim i të gjitha organeve që atë kushtetutë ta mbrojnë, nuk ka rend të tretë të qeverisjes në Kosovë, përveç atij qendror dhe lokal, në platformë thuhet se resurset që janë në Kosovë janë e drejtë ekskluzive e Kosovës dhe kanë të drejtë ti shfrytëzojnë ato”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka bërë të ditur se në dialog do të kërkohen dëmshpërblimet e luftës për grupet, për individët, për viktimat e luftës, reparacionet, subvencionet, asetet, duke përfunduar kështu një herë e përgjithmonë çështjet e hapura me Serbinë.

“Në një mënyrë ne do të përfundojmë çështjet e hapura që i kemi me Serbinë, që do të rezultojë me njohje dhe anëtarësim në të gjitha organizatat si OKB, e ne duam të jemi edhe pjesë e BE. Synojmë me dialog të përfundojmë një herë e përgjithmonë këtë proçes, të mbyllim çështjet e hapura por mos të cenojmë pavarësinë tonë asnjëherë. Nuk ka shtet në Evropë që ka më shumë të drejta të shkruara për minoritetet se që ka Kosova. Ajo që vlen për serbët në Kosovë, duhet të vlej për shqiptarët në Serbi”, ka përfunduar Ahmeti.

Sipas tij, ekipi negociator nuk do të marrë pjesë në takimet që mbahen mes dy palëve në Bruksel, nëse përfundimi nuk është ai që e duan të gjithë.

“Këtë dialog po e quajmë dialog për njohje, që është edhe parimi i dialogut. Nuk shkojmë në dialog nëse mendojmë se nuk përfundon me njohje, nëse në fund të procesit nuk ka njohje, atëherë asnjë pikë në marrëveshje s’do të jetë e vlefshme për neve në fund”, ka shtuar Ahmeti./Gazeta Alo/