Fjalë Kyçe

Krasniqi: Serbia për 86 vjet ishte ilegale në Kosovë

Krasniqi: Serbia për 86 vjet ishte ilegale në Kosovë

Ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se krimi e gjenocidi serb në Kosovë, është dëshmi e sundimit ilegal të Serbisë në Kosovë. Sipas Krasniqit, sot 20 vjet më parë është shënuar kulmi i gjenocidit serb në Kosovë.

“Njëzet e gjashtë marsi shënon kulmin e gjenocidit serb në Kosovë. Vrasjet serbe që filluan në Likoshan e Qirez, Abri e Poklek, në Reçak e Ticë, në Krushë e Meje, në Qyshk e Shtedime, në Gjakovë e Suharekë etj, ishin krim e gjenocid i planifikuar dhe i programuar jo vetëm pas viteve 1912/1913. Kur kihet parasysh kjo, nga fjalori ynë i përditshëm duhet ta largojmë fjalën masakër, pasi ajo nuk e mbulon krimin e gjenocidin e kryer mbi shqiptarët dhe jo vetëm gjatë luftës së fundit”, ka thënë Krasniqi.

Kryetari i këshillit kombëtar të Nismës Socialdemokrate të Kosovës, ka pyetur pse regjimet serbe në Beograd silleshin kështu.

“Përgjigjja më e shkurtër do të ishte: pse ishte regjim ilegal. Për 86 vite më radhë, regjimet serbe në Beograd (të gjitha format e regjimeve), e dinin se qëndrimi i tyre në Kosovë ishte ilegal dhe për ta legalizuar atë qëndrim, ata duhej t’i zhduknin pjesërisht ose tërësisht shqiptaret. Këtu dhe vetëm këtu duhet t’i kërkojmë rrënjët e krimit e të gjenocidit serb në Kosovë. Sot në Botë ka individ e shtete që ndërhyrjen humanitare të NATO-s në Kosovë e quajnë ilegale dhe thirren në të drejtën ndërkombëtare?! Po cili ligj ndërkombëtar e amniston krimin e gjenocidin që një shtet ushtron mbi qytetaret e tij? Të thuhej kjo, para 22 korrikut të vitit 2010, para verdiktit të GJND-së, i cili verdikt tha se: Pavarësia e Kosovës nuk bie në ndeshje me të Drejtën”, ka theksuar ai.

Sipas Krasniqit regjimi serb në Kosovë ishte ilegal, e jo bombardimet e NATO-së mbi regjimin gjenocidal të Serbisë në Kosovë.

“Ndërkombëtare. Kjo do të thotë se të gjitha mjetet që janë përdorur për të ardhur te Pavarësia e Kosovës kanë qenë e janë legjitime. Janë legjitime se e kanë shpëtuar një popull nga krimi e gjenocidi serb i përsëritur mase një herë gjatë 86 viteve të qëndrimit ilegal të Serbisë në Kosovë. Edhe një herë duhet të konfirmojmë, edhe me zërin e të gjitha viktimave të krimit e të gjenocidit serb në Kosovë se: Serbia për 86 vjet ishte ilegale në Kosovën shqiptare e JO BOMBARDIMET NATO-S MBI REGJIMIN KRIMINAL E GJENOCIDAL TË SERBISË!”, është shprehur Krasniqi.

Ish kreu i legjislativit ka shtuar se të gjithë në Kosovë e sidomos familjet që u goditen nga krimi e gjenocidi serb, duhet të ngrohen me rrezet e diellit të lirisë, e cila liri nuk mund të vinte ndryshe./Gazeta Alo/