Fjalë Kyçe

Mësuesit i shkruajnë letër Presidentit, s’pajtohen me Ligjin e Pagave (Dokument)

Mësuesit i shkruajnë letër Presidentit, s’pajtohen me Ligjin e Pagave (Dokument)

Këshilli Iniciues i mësimdhënësve klasor nga klasa e parë deri në të pestën i kanë dërguar një letër presidenti të vendit Hashim Thaçi, përmes së cilës kërkojnë që edhe këta mësues të jenë të barabartë me koeficientë me mësimdhënësit e ciklit lëndor nga klasa e gjashtë deri në të nëntën, shkruan Gazeta Alo.

Në letër thuhet se derisa marrëveshja për ndërprerjen e grevës në arsim u arrit në momentet e fundit një pjesë të mësimdhënësve kjo marrëveshje i gjeti para aktit të kryer.

Më tutje thuhet se kërkesa e tyre e vetme është që të barazohen me koeficientët me ciklin lëndor 6-9 ashtu siç ishin deri më tani.

Një peticion i tillë i është dërguar edhe Ministrisë së Arsimit, Kuvendit të Kosovës, Kryeministrit dhe Komisionit për Arsim.

Kjo është letra e plotë e Këshillit Iniciues të mësimdhënësve të ciklit klasor 1-5 dërguar presidentit Hashim Thaçi:

I nderuar z. President Hashim Thaçi, duke ditur angazhimet tuaja dhe agjendën mjaft të ngjeshur brenda dhe jashtë vendit, ju lutemi që ta keni durimin që t’i lexoni kërkesat dhe njëkohësisht ankesat tona.
            Ne mësimdhënësit ju njohim si personalitet i cili gjatë gjithë periudhës politikëbërëse keni pasur si prioritet sistemin arsimor dhe çdoherë kemi gjetur mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj në kërkesat tona. Duke pasur parasysh këtë fakt, ne shpresojmë që edhe kësaj radhe do ta kemi mbështetjen tuaj.
            Z. President, siç jeni në dijeni, para pak ditësh në Kuvendin e Republikës së Kosovës është miratuar Ligji i Pagave, dhe siç jeni po ashtu ne dijeni që sektori arsimor ishte në grevë për 15 ditë pune me kërkesën e ngritjes së koeficientit apo vendin meritor ne rangimin e koeficienteve. Besojmë se jeni në dijeni se një marrëveshje u arrit në momentet e fundit, mirëpo kjo marrëveshje një pjesë të madhe të mësimdhënësve i gjeti para një akti të kryer, pra bëhet fjalë për mësimdhënësit e ciklit klasor 1-5 të cilët deri në atë ditë ishin të barabartë me koeficient, kurse nga momenti i arritjes së marrëveshjes ne dolëm humbës dhe të injoruar me një pikëpyetje të madhe. Nga kush u bë kjo?
            Shpresat tona janë shumë të mëdha në autoritetin dhe të drejtat e juaja karshi këtij ligji. Kërkesa jonë e vetme është që të barazohemi me koeficient me ciklin lëndor 6-9 ashtu siç ishim.

Me respekt, këshilli iniciues:

Sektori i arsimit ishte në grevë për tri javë, duke kërkuar që koeficienti i tyre të rritet për 30%.

Ndërsa, pas tri jave konkretisht më 1 shkurt, greva u ndërpre pasi që Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës kishte arritur marrëveshje me institucionet e vendit për t’a ndërprerë grevën, derisa koeficienti sipas kësaj marrëveshje u rrit për rreth 20%./Gazeta Alo/