Fjalë Kyçe

49 vjeçari në Pejë dyshohet se u vra nga vëllai i tij për shkak të prerjes së malit

49 vjeçari në Pejë dyshohet se u vra nga vëllai i tij për shkak të prerjes së malit

Një konflikt që e kishte me të vëllanë, dyshohet se e la të vdekur 49-vjeçarin M.N.
Ai u gjet të dielën pas dy ditësh kërkimi në fshatin Reka e Allagës në Pejë, raporton KTV.

Si i dyshuar për vrasjen e vëllait, tashmë është arrestuar A.N, së bashku me dy persona të tjerë, A.N i mitur dhe SH.L.

Prokuroria thotë se gjetja e trupit të viktimës ishte e vështirë pasi që u gjet larg perimetrit ku ishte raportuar incidenti, derisa shkak i këtij incidenti dyshohet se ishte prerja e pyllit.

E, si provë të re në këtë rast është konfiskuar një veturë, ku janë gjetur mjete me të cilat dyshohet se ishte sulmuar viktima.

Derisa gjykata tashmë i ka caktuar masën e paraburgimit të miturit A.N, Prokuroria ka kërkuar paraburgim edhe për dy të dyshuarit tjerë A.N. dhe SH.L.

KTV-ja ka qëndruar në familjen e viktimës, por djali i tij nuk ka pranuar të flasë para kamerës, derisa ka thënë se babai i tij kishte tre vjet që kishte alarmuar për problemin që ai kishte me të vëllanë, por që askush nuk kishte ndërmarrë masa.

Ndërsa, drejtori për administrimin e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, Fatmir Morina, shkurt ka konfirmuar për KTV-në se vitin e kaluar njëri nga vëllezërit ishte ankuar në zyrën e tij se vëllai ilegalisht po priste pyllin, por pasi që bëhej fjalë për pronën private, Morina e kishte drejtuar në Polici.

Mirëpo, Policia në Pejë nuk ka mundur të konfirmojë nëse ky konflikt ishte raportuar edhe më parë, derisa kanë thënë se përgjigje të detajuar do të japë gjatë së martës.

M.N,49 vjeç, ishte në kërkim që nga data 26 prill kur dyshohet se ishte sulmuar me sëpatë nga vëllai, djali i tij dhe një person tjetër.