Fjalë Kyçe

Haradinaj tregon se a i është mbushur mendja ta heq taksën

Haradinaj tregon se a i është mbushur mendja ta heq taksën

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka folur për takimin e djeshëm që ai dhe presidenti Hashim Thaçi kanë zhvilluar me përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-ve, John Erath dhe Brad Berkley.

Haradinaj ka thënë se në këtë takim u ka shpjeguar zyrtarëve amerikanë të gjitha argumentet e shtetit të Kosovës pse dialogu duhet të vazhdojë që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse obligative ligjore në kufijtë ekzistues.

“Takimi ka qenë përmbajtësor, janë diskutuar të gjitha aspektet e angazhimeve në dialog. Mendoj që ka qenë ndër takimet më përmbajtësore”.

“Njëkohësisht edhe domosdoshmëria që të kthehet tavolina e dialogut përfshirë edhe situatën me tarifën e vendosur nga Qeveria e Kosovës që ndërlidhet me kushtëzimet që i ka bërë Serbia për dialog”.

“Kam pasë mundësinë t’i shpjegojë mjaftueshëm argumentet e Kosovës që dialogu duhet të vazhdojë. Duhet të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse obligative ligjore në kufijtë ekzistues që nënkupton lëvizje me kufij dhe territor e as një republikë të Millorad Dodikut në Kosovë”.

Sipas tij, një marrëveshje e tillë gjithpërfshirëse obligative ligjore është interes i të dyja vendeve dhe se e njëjta e rregullon tregtinë e lirë Kosovë-Serbi, përfshirë edhe çështjen e taksës.

Haradinaj ka treguar edhe nëse i është mbushur mendja që ta heqë taksën 100 % pas insistimit dhe presionit të SHBA-ve, njofton Klan Kosova.

“Natyrisht se na e mbushin mendjen. Ekzistojnë dy pamje për taksën – njëra është që taksa të shihet si pengesë për t’u kthyer në dialog derisa tjetra është si ndihmesë për t’u arritur më shpejtë marrëveshja”.

“Koha tash nuk i kushton më vetëm Kosovës por edhe Serbisë, për aq koha sa taksa është në fuqi, koha i kushton edhe Serbisë”.

Shefi i Qeverisë ka komentuar edhe takimin e mbrëmshëm të presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa.

“Mendoj që takimet dhe konsultat mes udhëheqësve politikë janë të mira. Edhe unë bëj takime të vazhdueshme, edhe me [Isa] Mustafaën, me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, me Shpend Ahmetin e PSD-së dhe me të partive në koalicion. Mendoj se konsultat janë diçka e mirë që ja vlen”.