Fjalë Kyçe

Pacolli i thotë këto fjalë për Ushtrinë e Kosovës në Amerikë

Krijimi i Ushtrisë së Kosovës në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ngrit ndjeshëm kapacitetet e vendit tonë në ndërtimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt.

Kështu ka thënë ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, në adresimin e tij para rreth shtatëdhjetë ministrave të jashtëm nga e gjitha bota, që përfaqësonin vendet e tyre në ministerialin e Koalicionit Global kundër ISIS-it, që po i zhvillon punimet në Uashington D.C.

Në njoftimin për media thuhet se kryediplomati kosovar ka treguar hapat konkret që shteti i Kosovës bashkë me SHBA-në ka ndërmarrë në vazhdimësi në këtë drejtim.

Gjatë këtij takimi, pjesëmarrësve nga e gjithë bota i është drejtuar edhe Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo dhe Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Ndërkohë, një shtrëngim duarsh ndërmjet sekretarit Pompeo dhe ministrit të jashtëm të Kosovës, Pacolli, pas fotos familjare me ministrat e jashtëm pjesëmarrës ka marrë vëmendjen dhe është publikuar në mediat më të rëndësishme të botës./Gazeta Alo/