Avokati i Popullit i Kosovës ka sqaruar rrethanat e fundit të krijuara lidhur me pakënaqësitë për Ligjin e Pagave.
Përmes një komunikate për media, Avokati i Popullit ka bërë të ditur se është duke i trajtuar ankesat e paraqitura nga subjekte të ndryshme të sektorit publik, shkruan lajmi.net.Sipas këtij institucioni, paralajmërimet dhe deklarimet e sindikatave se “Avokati i Popullit” nuk guxon ta dërgojë Ligjin për Pagat në Kushtetuese, e kërcënojnë rendin publik.
Po ashtu, Avokati i Popullit përmes komunikatës ka sqaruar se deri tani lidhur me Ligjin e Pagave janë pranuar 30 ankesa.
Postimi i plotë:
Avokati i Popullit aktualisht është duke i trajtuar ankesat e paraqitura nga subjekte të ndryshme të sektorit publik lidhur me Ligjin nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, i cili do të hyjë në fuqi më 1 dhjetor 2019. Ankesat kryesisht kanë të bëjnë me kushtetutshmërinë e ligjit në kuptimin e ndarjes së pushteteve dhe të barazisë para ligjit, nën pretendimin se ligji nuk e ka arritur qëllimin e proklamuar me rastin e miratimit të tij: “pagë të barabartë për punë të barabartë.”Në fillim të kësaj jave, Avokati i Popullit, me kërkesën e tyre, është takuar me Sindikatën e Arsimit, me Sindikatën e Shëndetësisë dhe me Sindikatën e Policisë, lidhur me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik. Këto sindikata kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me mundësinë e dërgimit të këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese nga Avokati i Popullit.
Për më shumë, këto sindikata, nëpërmes mediave, janë shprehur se ky ligj nuk guxon të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, duke kërcënuar edhe me “kolaps të shtetit”.Avokati i Popullit, në pajtim me nenin 113, paragrafi 2(1), të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, është palë e autorizuar për ta ngritur, mes tjerash, çështjen e përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën. Më tej, Avokati i Popullit thekson se, sipas nenit 113, paragrafi 2, të Kushtetutës:“Avokati i Popullit është i pavarur në ushtrimin e detyrës dhe nuk pranon udhëzime e ndërhyrje nga organet, as nga institucionet dhe as nga autoritetet e tjera, të cilat ushtrojnë pushtetin në Republikën e Kosovës.
”Për më shumë, Avokati i Popullit konsideron se deklarimet e Sindikatës së Shëndetësisë, të Sindikatës së Arsimit dhe të Sindikatës së Policisë se Avokati i Popullit nuk guxon ta dërgonë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Pagat si dhe kërcënimet për “kolaps të shtetit” paraqesin kërcënim kundër rendit publik dhe kërcënim ndaj Avokatit të Popullit, gjë që do të mund të përbënte vepër penale të sanksionuar me Kodin Penal nr.06/L-074 të Republikës së Kosovës, neni 401 [Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare] dhe neni 205 [Cenimi i së drejtës për ushtrimin e mjetit juridik].Avokati i Popullit deri më tani ka pranuar 30 ankesa lidhur me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, në mesin e tyre edhe ankesa nga të punësuarit në shëndetësi, në arsim dhe në polici. Përveç në rastet kur Avokati i Popullit pranon ankesa nga personat fizikë dhe juridikë, Avokati i Popullit, në pajtim me Ligjin për Avokatin e Popullit (neni 16, par. 4), ka kompetencë të bëjë hetime qoftë për t’iu përgjigjur ankesës së parashtruar apo qoftë me iniciativën e vet (ex officio), nëse nga konstatimet, nga dëshmitë dhe nga faktet e paraqitura me parashtresë, ose nga njohuritë e fituara në mënyrë tjetër, ka bazë të rezultojë se nga ana e autoriteteve janë shkelur të drejtat dhe liritë e njeriut të përcaktuara me Kushtetutë, me ligje dhe me akte të tjera, si dhe me instrumente ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Avokati i Popullit rikujton se, gjatë ushtrimit të mandatit të vet, nuk pranon udhëzime e ndërhyrje nga organet, as nga institucionet e as nga autoritetet e tjera, duke përfshirë këtu edhe sindikatat e sipërpërmendura. Çfarëdo ndërhyrje, udhëzim apo kërcënim në këtë drejtim, Avokati i Popullit do ta konsiderojë pengim të punës së tij zyrtare.