Fjalë Kyçe

Intervista e famshme e Kurtit në burgun e Pozhrevcit, ish i burgosuri tregon nëse ishte e planifikuar apo jo

Intervista e famshme e Kurtit në burgun e Pozhrevcit, ish i burgosuri tregon nëse ishte e planifikuar apo jo

Arben Bobani, ish i burgosur nga Gjakova, ka rrëfyer tmerrin që kishte përjetuar në burgjet serbe.

Ai ka folur edhe për momentin dhe rrethanat se si është mbajtur konferenca në burgun e Pozharevcit në Serbi, në të cilën kryeministri i sapo zgjedhur, Albin Kurti ishte deklaruar para mediave.

Bobani ka theksuar se konferenca e famshme e Kurtit ishte krejt spontane.

“Nuk ka qenë e organizuar, që njerëzit e cilësojnë, pasi folëm për burgun e Pozharevcit. Gjatë shëtitjeve që i bënin nganjëherë, në kohën e ardhjes së Kryqit të Kuq dhe delegacioneve, aty vetëm një prej tyre e njohu Albinin, ishte një gazetare. Albini ishte figurë publike pak më e njohur. Dikujt i ka lënë përshtypje, nuk dinin kënd me marrë në pyetje, xhironin burgun, objektin, edhe një gazetar shkoi te ai, shkuan edhe të tjerët, shkoi edhe ministri. Ne u larguam, ishte shumë spontane, për njerëzit që nuk kanë qenë aty. Mos flisni diçka që nuk e keni pa. Nuk është kjo me mbrojt askënd, po as me sha. Askush nuk e përmend qysh e rrahën pastaj Albinin. Shembull, sepse mu më kanë rrahur më shumë se ato. E kishim një rrugë me të prej Nishit në Pozharevc, mua nuk më rrahën, ato e rrahën fortë, që tash po më kujtohet. Nëse flasim brenda burgjeve duhet ta flasim të drejtën, edhe ai që ka qene aty”, ka deklaruar Bobani për Telegrafin.

Ndryshe, gjakovari në moshën 20 vjeçare – në vitin 1998 – i ishte bashkuar radhëve të ish – Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke vazhduar më pas vuajtjet e tij në burgun e Dubravës, ku kishte përjetuar masakrën e tmerrshme, për të vazhduar me dhunën dhe keqtrajtimet në burgjet serbe, për tu liruar në vitin 2001.