Fjalë Kyçe

Lirim Kastrati ndjek rrugën e trasuar nga Amir Rrahmani

Lirim Kastrati ndjek rrugën e trasuar nga Amir Rrahmani

Sulmuesi i krahut, Lirim Kastrati, po ndjek rrugën të cilën tashmë e ka shkelur qendërmbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani.

Futbollisti nga Hogoshti i Kamenicës, Kastrati, e ka bërë një hap të madh në karrierën e tij, pasi të hënën firmosi kontratë pesëvjeçare me Dinamon e Zagrebit. Vlera e transferimit të Kastratit nga Lokomotiva te Dinamo, është tre milionë euro, shkruan sot Koha Ditore.

21-vjeçari, do të mbetet pjesë e Lokomotivës deri në fund të këtij edicioni kurse Dinamos do t’i bashkohet në muajin korrik. Sulmuesi kosovar të martën për gazetën ka thënë se shpreson të ketë fatin e Rrahmanit, i cili më herët ka qenë pjesë e skuadrave kroate,

Lokomotiva dhe Dinamo, kurse tani luan në Serie A te Hellas Verona, e nga korriku do të luajë për Napolin. Rrahmani këtë edicion po vlerësohet ndër mbrojtësit më të mirë në kampionatin italian. Ai te Verona u transferua para fillimit të këtij edicioni nga Dinamo për 2.1 milionë euro kurse Napoli për kartonin e tij, pagoi 14 milionë euro dëmshpërblim.

“E di edhe Amiri se sa klub i madh është Dinamo. Ai ka luajtur për Dinamon dhe për Lokomotivën. Me Amirin kemi pasur shoqëri të mirë dhe kemi dalë shumë herë kur ai ka qenë duke luajtur në Zagreb. Ai ka bërë hapa të mëdhenj në karrierë dhe shpresoj që ta ndjek edhe unë rrugën e tij. Kryesorja është ta kemi shëndetin, të mos kemi lëndime e më pas të tjerat mund të arrihen me punë dhe seriozitet”, tha Kastrati.

Kastrati tregon se pse zgjodhi që karrierën ta vazhdojë te Dinamo e Zagrebit. Ai në vitin 2017 iu transferuar te Lokomotiva e Zagrebit kurse këtë edicion është njëri prej lojtarëve kryesor në ekip. Ka shënuar tetë gola dhe ka bërë katër asistime në 24 ndeshje të zhvilluara deri më tash.

“Dinamo ka qenë opsioni më i mirë për mua. Jam këtu qe tre vjet dhe e njoh shumë mirë futbollin në Kroaci. Njoh shumë lojtarë që luajnë te Dinamo dhe me dy prej tyre kam luajtur te Lokomotiva. Sigurisht se jam konsultuar edhe me ta, para se të merrja vendimin. Ata më kanë sugjeruar që të shkoja në Dinamo”, ka thënë Kastrari.

“Unë do të jem pjesë e Lokomotivës deri në fund të sezonit. Pastaj fazën përgatitore do ta kryej me Dinamon dhe do të bashkohem me ekipin e parë. Jam i kënaqur me këtë lëvizje që do ta bëj, e po ashtu edhe me kushtet që më janë ofruar”.

Kastrati zbulon se ka pasur edhe oferta të tjera, nga disa klube të njohura, madje, edhe Reimsi në Francë, e kishte vlerësuar si zëvendësues të Arbër Zenelit, që ishte lënduar. Oferta, Kastrati kishte edhe nga Spanja e Turqia.