Fjalë Kyçe

Mesazhi i Kadri Veselit për kriminelët serbë: Do të ju zëmë të gjithëve, nuk do të jeni të lirë

Mesazhi i Kadri Veselit për kriminelët serbë: Do të ju zëmë të gjithëve, nuk do të jeni të lirë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se krimet dhe masakrat e kryera nga Serbia janë të përmasave të gjenocidit.

Sipas tij, edhe 20 vjet pas luftës drejtësia ndërkombëtare nuk e ka bërë punën e vet, shkruan Gazeta Alo.

“Krimet dhe masakrat e kryera nga Serbia janë të përmasave të gjenocidit. Ne kemi besuar që drejtësia ndërkombëtare do ta thotë fjalën e saj ën dënimin e këtyre krimeve, ne kemi besuar tek e vërteta, fatkeqësisht kanë kaluar dy dekada dhe pak ose aspak nuk është bërë në këtë drejtim, Tribunali i Hagës i ka lënë në gjysmë proceset gjyqësore kundër krerëve të regjimit të Millosheviqit , për aq sa edhe drejtësia ndërkombëtare në Kosovë nuk e ka bërë punën e vet të cilën është dashur ta bënte. Në tërë këtë kohë Serbia është munduar ta mbyll këtë punë duke organizuar disa pseudogjykime të rrejshme të oficerëve të saj që akne marrë pjesë në masakrat në Kosovë’, ka thënë Veseli.

Sipas tij, përpjekjet e Serbisë për ta penguar shtetësinë e Kosovës, kanë vazhduar dhe vazhdojnë edhe sot, duke shtuar se me këtë Serbia po e vështirëson perspektivën e fqinjësisë së mirë.

“Kjo sjellje e Serbisë po vështiron perspektivën e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit dhe pajtimit. Ne kemi për obligim të mbrojmë jo vetëm lirinë, shtetin dhe jetën e qytetarëve tanë sot, por të mbrojmë edhe të vërtetën e asaj se çfarë ka ndodhur dje me njerëzit tonë. Po, ashtu edhe luftën e drejtë të UÇK-së’, ka deklaruar kryeparlamentari.

Veseli, ka thënë se Serbia e din dhe i ka të dokumentuara të gjitha krimet që ka kryer në Kosovë.

“Serbia i ka dit, dhe i din, i ka të dokumentuara dhe i njeh çdo krim që kanë kryer në Kosovë dhe kjo është e papranueshme. 186 masakra në Kosovë të kryera në Kosovë kërkojnë drejtësi. Heshtja ndaj dëshmive dhe krimeve është heshtje për kriminelët. Unë kam marr iniciativën për krijimin e një Gjykatë për masakrat që i ka kryer Serbia. Kjo gjykatë është e mundur, është e domosdoshme, do të ndodhë dhe ka me ndodhë”, ka pohuar ai.

Veseli, po ashtu pati edhe një mesazh për kriminelët serbë.

“Mesazhi është për kriminelët. Nuk do të jeni të lirë, kemi me ju zënë të gjithëve , keni me u përgjigj për atë çfarë ju keni bërë njerëzve tonë në Kosovë q nga fëmijët deri te pleqtë sepse ata kanë qenë të pafajshëm, ndërsa ju nuk keni qenë të zotë me u ballafaqu me neve Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë kryeparlamentari Veseli.

Sipas tij krijimi i Gjykatës Ndërkombëtare e cila do të merrej me krimet serbe në Kosovë po bëhet për t’i ikur paragjykimeve që të ketë një Tribunal Ndërkombëtar.

“Gjykata do të ndodhë, kriminelët dhe ata që kanë kryer krimin do të ndjeken përjetësisht. Ideja e kësaj iniciative është për ti ikur paragjykimeve që të ketë një tribunal ndërkombëtar. Tribunali Ndërkombëtar e krijon një mundësi për ti ikur çdo paragjykimi të mundshëm”, ka thënë Veseli.

Ai ka folur ehde për opozitën duke thënë se në këtë çështje do të jenë të përfshirë pozitë e opozitë

“Do të jenë të përfshirë pozita dhe opozita, pra do të jenë një varg hapash ku do të jetë e përfshirë e gjithë Kosova. Jam i bindur që opozita do të jetë jo vetëm përkrahëse, por edhe pjesë e saj”, ka thënë ai./Gazeta Alo/