Fjalë Kyçe

Pas 30 vitesh po cënohet miqësia me SHBA-në, thotë Hoti

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka akuzuar ekipin negociator për dialogun Kosovë-Serbi, duke thënë se askush nuk duhet të eksperimentojë me shtetësinë e Kosovës.

Përmes, një postimi në profilin e tij në Facebook, Hoti ka thënë se platforma për dialog është Kushtetuta e Kosovës, ndërsa ekipi negociator është Qeveria e Kosovës, shkruan Gazeta Alo.

Sipas tij, Kosova është shtet i pavarur dhe duhet të përfaqësohet nga institucionet kushtetuese, duke shtuar se është hera e parë në historinë 30 vjeçare të përpjekjeve tona për shtet të pavarur që cenohen marrëdhëniet miqësore me SHBA-në.

Postimi i tij i plotë:

Askush nuk duhet të eksperimentojë me shtetësinë e Kosovës.

  1. Platformë për dialog është Kushtetuta e Kosovës. Ekip negociator është Qeveria e Kosovës që ka legjitimitet politik për të ushtruar kompetencat e veta kushtetuese. Çdo format tjetër është jo kushtetues dhe nuk do të ketë përkrahje asnjëherë.
  2. Kosova është shteti i pavarur dhe duhet të përfaqësohet nga institucionet kushtetuese. Pasi institucionet aktuale nuk kanë fuqi politike dhe as legjitimitet, atëherë duhet ndjekur rrugët për të fituar legjitimitetin fillimisht. Koalicioni PAN në asgjë nuk është unik përveç për të qëndruar në pushtet me çdo kusht.
  3. Derisa në Qeverinë e kaluar janë bërë përpara në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës, duke nënshkruar MSA-në, anëtarësimi në organizata të ndërkombëtare, zhvillim ekonomik, luftë kundër korrupsionit dhe arritje të tjera sado modeste që mund të jenë, me Qeverinë e PAN-it Kosova ka bërë hapa prapa.
  4. Është hera e parë në historinë 30 vjeçare të përpjekjeve tona për shtet të pavarur që cenohen marrëdhëniet miqësore me SHBA-në. Është hera e parë në historinë tonë si shtet që Kryeministrit i vendosen ndalesa për udhëtim në SHBA. Mendoj se vetë partia e tij do të duhej të kërkonte dorëheqjen. PDK duhet të marrë përgjegjësinë kryesore në këtë izolim të Kryeministrit të Kosovës, pasi para dy jave vraponte për të marrë meritat për vendosjen e taksës./Gazeta Alo/