Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar që me urgjencë, Kuvendi i Kosovës ta nxjerrë rezolutën për gjenocidin dhe krimet e Serbisë të kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë.
“Sot kërkohet nga institucionet e Kosovës shpresë dhe urgjentisht kur tani çdo ditë jemi duke kujtuar në kremtime të ndryshme nga një fshat në fshatin tjetër, nga një masakër në masakrën tjetër që Kuvendi i Kosovës të nxjerr rezolutë për krimet e Serbisë që i ka bërë në Kosovë”, ka thënë Thaçi.
Kjo kërkese e presidentit Thaçi erdhi vetëm një ditë pasi e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi –Goodman, ndau rrëfimin e saj rrënqethës para Kongresit Amerikan në lidhje me keqtrajtimet që iu bënë nga policët serbë, shkruan Gazeta Alo.
“Ajo edhe njëherë dëshmoi për masën e dhunës, krimit dhe gjenocidit që shteti i Serbisë ushtroi mbi popullatën civile shqiptare. Ky rrëfim ngjalli emocione të forta para anëtarëve të pranishëm në Kongresin Amerikan. Pra preku ndërgjegjen botërore. Edhe pas 20 vitesh askush nuk doli para drejtësisë vendore apo ndërkombëtare. Iniciativa e Vasfije Krasniqi është shprehje e vullnetit qytetar. Prandaj asnjë krim që ka bërë Serbia nuk duhet të heshtet”, ka deklaruar ai.
Këto komente presidenti Thaçi, i bëri në një konferencë për media pas kthimit nga Berlini./Gazeta Alo/