Fjalë Kyçe

Thaçi: Liria dhe shteti ynë themelet i kanë mbi gjakun e atyre që ranë për liri dhe pavarësi

Thaçi: Liria dhe shteti ynë themelet i kanë mbi gjakun e atyre që ranë për liri dhe pavarësi

Presidenti i vendit Hashim Thaçi së bashku me kryeministrin Ramush Haradinaj, kanë marrë pjesë në shënimin e 20 vjetorit të 113 të rënëve në Krushë të Vogël.

Presidenti, Thaçi ka thënë se sot kujtohen mijëra qytetarë të Kosovës, të ri e të reja, nëna e baballarë e po ashtu edhe fëmijë që u vranë vetëm pse ishin shqiptarë, shkruan Gazeta Alo.

“Pas fillimit të fushatës së bombardimeve  të NATO-s forcat serbe rritën dhunën dhe gjenocidin. Serbia ka kryer spastrim etnik, krime dhe gjenocid në Kosovë. Shumë prej jush i keni humbur më të dashurit tuaj. Ne nuk do të harrojmë asnjëherë krimet e bëra gjithandej Kosovës nga shteti i Serbisë. Zëri juaj , lotët tuaj, dhimbja juaj flet më tepër se çdo fakt tjetër”, ka thënë presidenti Thaçi.

Sipas tij, Krusha e Vogël është simbol i mbijetesës po edhe i rilindjes në Kosovën e Re.

“Liria dhe shteti ynë themelet i kanë mbi gjakun e atyre që ranë për liri dhe pavarësi. Të jeni të sigurtë se institucionet do të angazhohen edhe më tutje për të pagjeturit dhe të sillen në vendin aty ku kanë lindur, por në të njëjtën kohë edhe ju të kuptoni se përballë i kemi të njëjti njerëz që kanë kryer spastrim etnik dhe gjenocid në Kosovë, pra njerëz të instaluar në Beograd”, ka deklaruar Thaçi.

Thaçi, ka deklaruar se Kosova po ec drejt zhvillimit dhe në rrugë të duhur.

“Asgjë dhe asnjë nga ne nuk duhet të presim të mira nga ata, po sot në të njëjtën kohë është një ditë që duhet ta kujtojmë edhe të krenarisë ku i shohim këta djem dhe vajza që po rriten dhe shkollohen në Kosovën e pavarur që po lëviz në drejtim të drejtë, të zhvillimit, të progresit dhe rrugëtimin për tu anëtarësuar në NATO, BE dhe për ti kultivuar edhe më fuqishëm raportet me SHBA-të’, ka thënë ai.

Kurse, kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, ka thënë se në Krushë të Vogël vërtetë është një plagë e madhe.

“Vërtetë në Krushë të Vogël është një plagë e madhe. Ka qenë e vogël me banorë dhe shtëpi por numri 113 e bën Krushën e Vogël vendin më të vrarë në Kosovë pra nuk ka vend tjetër në Kosovë që për numër të familjeve ka kaq shuam viktima. Besoj shumë se duke qenë këtu do ti nxjerrim edhe më mirë obligimet tona që i kemi ndaj kategorive të lirisë, qoftë martirëve qoftë të pagjeturve’, ka deklaruar Haradinaj./Gazeta Alo/