Fjalë Kyçe

6 vjet burgim për policin që abuzoi seksualisht me nxënësen me aftësi të kufizuara në Kamenicë

6 vjet burgim për policin që abuzoi seksualisht me nxënësen me aftësi të kufizuara në Kamenicë

Me gjashtë vite burgim është dënuar zyrtari policor, R.Sh, i cili po akuzohej për sulm seksual ndaj një të miture me aftësi të kufizuara në Kamenicë.

Zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, Sabit Shkodra ka konfirmuar për lajmi.net dënimin e shqiptuar ndaj zyrtarit policor R.Sh.

“Po mund t’ua konfirmoj se ditë më parë është shpallur aktgjykimi dhe është dënuar me 6 vite burgim”, tha Shkodra.

Tutje ai theksoi se palët kanë të drejtë për ankesë.

“Vendimi është i shkallës së parë, palët e pakënaqura ndaj këtij vendimi kanë të drejtë ankesë në shkallën e dytë”, shtoi ai.

Në prill të këtij viti, zyrtari policor i Njësisë së Trafikut në Rajonin e Gjilanit, Shillova, ishte arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës nën dyshimin për sulm seksual ndaj një të miture.

Në dosjen e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, thuhet se zyrtari policor R.Sh., nga nëntori i vitit 2020 deri më 20.04.2021, është takuar disa herë në banesën e të dëmtuarës (e mitur), me aftësi të kufizuar mendore dhe ndaj të njëjtës ka ushtruar sulm seksual.

Sipas prokurorisë, zyrtari policor ka puthur të dëmtuarën në fytyrë, në buzë dhe në pjesën e gjoksit.

“…dhe atë përqafimet me të si dhe prekjet në zonat intime dhe këto veprimet i ka përsëritur në intervale të ndryshme kohore”, thuhet tutje.

Prokuroria thekson se i pandehuri ka pasur njohuri për moshën dhe gjendjen shëndetësore të të dëmtuarës, por megjithatë ndaj të njëjtës shpesh herë ka kryer sulmin seksual.

“Dyshimi i bazuar se i pandehuri, e ka kryer veprën penale që i vihet në barrë rezulton nga kallëzimi penal i Inspektoratit Policor të Kosovës”, thekson prokuroria.