Fjalë Kyçe

Paralajmërohet valë e re e COVID-19 në Kosovë gjatë vjeshtës

Paralajmërohet valë e re e COVID-19 në Kosovë gjatë vjeshtës

Varianti Mu i cili është përhapur shpejt në mbi 40 vende të botës, po tregon se është më rezistent nga antitrupave, më i rrezikshëm e vdekjeprurës, kanë thënë ekspertët. Duke qenë më ngjitës dhe më i fshehtë, në Kosovë është paralajmëruar për një valë të re të infektimeve gjatë vjeshtës.

Kryetarja e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, Aurora Dollenberg, vlerëson se vjeshta mund ta gjejë Kosovën, por edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, në një valë të re infektimit që do ta shkaktojë varianti kolumbian Mu.

“Qoftë për përqindjen e vaksinimit, qoftë për disiplinën në ruajtjen prej infeksionit, Kosova nuk është se qëndron në vendet e para në listë në Evropë, por përkundrazi në vendin e fundit. Dimë që përqindja e të vaksinuarve është më pak sesa 20% dhe popullata sidomos tani në muajt e verës ku kanë pasur festime, turistë, që kanë ardhur emigrantët nga jashtë, të gjitha këto flasin për një prognozë jo shumë pozitive për sa i përket vjeshtës. Kështu që Kosova sikur edhe Shqipëria por edhe vendet e tjera ballkanike duhet të jenë veçanërisht të parapërgatitura për një valë të katërt”, ka thënë Dollenberg.

Specialistja e mjekësisë familjare, Dollenberg ka treguar disa nga karaktersitikat e variantit Mu.

“Varianti Mu ka treguar në studimet e pakta që ekzistojnë deri tani se është akoma edhe më ngjitës dhe më infektues sesa Delta dhe një fakt tjetër, se është më i fshehur sesa Delta, kështu që fakti që nuk e identifikojmë që në momentet e para tek pacientët e bën sëmundjen akoma më të rrezikshme dhe më vdekjeprurëse. Simptomat që shkakton varianti Mu nuk janë shumë tipike, janë të ngjashme me një ftohje shumë të lehtë e cila nga momenti në moment përkeqësohet pa pasur mundësi që mjeku ose edhe familjari për të shtruar në spital dhe për t’u trajtuar në kohë”, u shpreh ajo.

Infektologu, Arben Vishaj thotë se mundësitë janë që edhe qytetarët e Kosovës të infektohen me variantin Mu. Siç thotë ai, klinicistët janë duke bërë përgatitjen e nevojshme për parandalimin dhe kontrollin e këtij mutacioni të ri.

“Ne tashmë nuk mund ta lëmë fatin tonë në mëshirën e transformimeve gjenetike të COVID, por ne do të mobilizohemi konform kapaciteteve tona në respektim të masave epidemiologjike dhe në vaksinim sa më të madh të popullatës që është e mundur pasi kjo neve na jep garanci që në të ardhmen mos të përballemi me valë të ashpra çfarë jemi përballur deri më tani”, u shpreh ai.

Varianti Mu është zbuluar për herë të parë në Kolumbi, në janar të këtij viti. Ky variant është përhapur në 43 vende ndërsa raporti i epidemiologjisë i OBSH-së thotë se të dhënat paraprake tregojnë se Mu duket se është më rezistent ndaj antitrupave./ KosovaPress