Fjalë Kyçe

IKD: Përveç policisë, në vitin 2020 asnjë institucion s’ka deponuar kallëzim penal për keqpërdorim në fushën e prokurimit publik

IKD: Përveç policisë, në vitin 2020 asnjë institucion s’ka deponuar kallëzim penal për keqpërdorim në fushën e prokurimit publik

Gëzim Shala, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ka thënë se në raportin e këtij instituti në rastet e korrupsionit në prokurimin publik, gjetjet tregojnë pasivitet tek sistemi prokurorial por edhe në sistemin gjyqësor.

Shala, në një konferencë për media tha se në bazë të gjetjeve, Prokurori i Shtetit nuk ka pasur rol proaktiv në luftimin e korrupsionit në fushën e prokurimit publik.

“Kjo vërtetohet nga fakti se gjatë gjithë kësaj periudhe s’e kemi asnjë rast të iniciuar nga ana e Prokurorit të Shtetit me vet-iniciativë në bazë të gjetjeve dhe përballë mungesës së vet-iniciativës së Prokurorit të Shtetit për të ngritur raste të kësaj natyre, IKD edhe mos-bashkëpunim të Prokurorit të Shtetit me institucione të tjera”, është shprehur Shala.

Tutje, ai tha se në vitin 2020, përjashtuar Policinë e Kosovës, asnjë institucion tjetër nuk ka deponuar në Prokurorinë e Shtetit kallëzim penal për keqpërdorim në fushën e prokurimit publik.

“Problematik tjetër është injorimi që Prokurori i Shtetit i ka bërë raporteve të Zyrës Kombëtare të Auditimit, përkundër faktit që raportet e ZKA-së kanë paraqitur një varg shkeljesh që kanë të bëjnë me shkelje në prokurim publik, asnjë prej tyre nuk është trajtuar nga ana e Prokurorit të Shtetit, përkatësisht nuk është ngritur asnjë aktakuzë në bazën e këtyre gjetjeve”, ka thënë Shala.

Ndërsa, Mehmet Thaçi nga ky institut, ka thënë se e gjetur tjetër e rëndësishme e këtij hulumtimi është mungesa e rezultateve konkrete nga ana e sistemit të drejtësisë tek fusha e konfiskimit përfundimtar.

“Gjatë vitit 2020 në as asnjë aktakuzë të ngritur nuk është bërë kërkesë për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të jashtëligjshme, derisa në aktakuzat e bëra gjatë vitit 2021 është bërë vetëm një kërkesë e tillë dhe është propozuar konfiskimi i një veture në pronësi të të pandehurit”, është shprehur Thaçi, njofton Klankosova.tv