Fjalë Kyçe

Privatësia me kamerat, shumica e bizneseve të inspektuara shkelin ligjin

Privatësia me kamerat, shumica e bizneseve të inspektuara shkelin ligjin

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka inspektuar 16 biznese për të parë nëse po e zbatojnë ligjin që lidhet me përpunimin e të dhënave personale përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë.

Pas këtij procesi, AIP ka konstatuar se shumica e tyre kanë bërë vëzhgimin në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke mos plotësuar kriteret e parapara me ligj.

Me këtë rast, AIP thotë se ka nxjerrë vendim për ndalimin e përkohshëm të përpunimit të të dhënave personale përmes vëzhgimit me kamerë dhe ka urdhëruar shkatërrimin e të dhënave të grumbulluara përmes këtij sistemi, deri në datën e pranimit të vendimit.

AIP, përmes procesit të inspektimit dhe veprimeve të ndërmarra ndaj kontrolluesve për plotësimin e kritereve ligjore për përpunimin e të dhënave përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë, ka për detyrë  të mbrojë privatësinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe thotë se është në shërbim të qytetarëve për të realizuar të drejtat e tyre që ua garanton Kushtetuta dhe Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. 

AIP u zotua se do të vazhdojë me inspektime dhe kontrolle për të mbikëqyrur ligjshmërinë e përpunimit të të dhënave personale, përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.